Raporti i qeverisë: Ku nuk ecën gjyqësori

Mbledhje e KLD
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri perceptohet si i korruptuar, jo transparent, mungon përgjegjshmëria dhe rregullat për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve.Këto janë disa nga vlerësimet e qeverisë për Gjyqësorin, ku përfshihen gjykatat, KLD-ja, Prokuroria, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, Shkolla e Magjistraturës etj. Në dokumentin prej 52 faqesh, veçohet fakti se Ndonëse ka një tendencë në rritje për luftën institucionale kundër korrupsionit (KLD ka pranuar çdo kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve në rastet e paraqitura), duket se masat parandaluese nuk janë ende të mjaftueshme (për ilustrim shërben imuniteti i plotë i gjyqtarëve). Në të njëjtën kohë, qeveria ka përcaktuar edhe një sërë prioritetesh, të cilat synojnë konsolidimin e pavarësisë së Gjyqësorit dhe përmirësimin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Korrupsioni në Gjyqësor
Në raportin analitik 2010 të Komisionit Europian mbi Shqipërinë, Gjyqësori paraqitet si një nga fushat me shqetësim në korrupsion, i shkaktuar nga një sërë faktorësh, si mungesa e përgjegjshmërisë, transparencës, paanësisë, statusi i gjyqtarëve, duke përfshirë edhe imunitetin e plotë të gjyqtarëve si prej pengesave të hetimit të rasteve korruptive në Gjyqësor. Ndonëse ka një tendencë në rritje për luftën institucionale kundër korrupsionit (KLD ka pranuar çdo kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve në rastet e paraqitura), duket se masat parandaluese nuk janë ende të mjaftueshme (për ilustrim shërben imuniteti i plotë i gjyqtarëve).
Eficenca në Gjyqësor
Niveli i statusit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit, duke përfshirë edhe pagat, ende nuk është në përputhje të plotë me standardet europiane. Aktualisht ka nevojë për një analizë dhe standardizim të të gjitha privilegjeve, që gëzojnë gjyqtarët për shkak të detyrës. Garancitë për promovimin në karrierë të gjyqtarëve dhe për procedimin disiplinor të tyre, nuk zbatohen sa duhet në praktikë. Vlerësimi profesional i gjyqtarëve dhe krijimi i listës së renditjes së tyre nuk është konsoliduar si proces. Edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mbeten të papërditësuar me zhvillimet e legjislacionit dhe të doktrinës. Administrata gjyqësore mbështet veprimtarinë e gjykatave, megjithatë ka nevojë në rritje për konsolidimin e standardeve të performancës dhe të statusit të saj. Kushtet fizike të punës janë të tilla, që ende lejojnë zhvillimin e gjykimeve në zyrat e gjyqtarëve. Volumi i lartë dhe zvarritja e gjykimeve në Gjykatën e Lartë i atribuohet edhe faktorëve të tjerë, si mungesa e reflektimit të ndryshimeve ligjore dhe institucionale në përbërjen e kolegjeve të kësaj gjykate; procedurat jo transparente të emërimit të gjyqtarëve të lartë; numri i ulët i rekrutimit në këtë Gjykatë nga radhët e Gjyqësorit dhe roli i dobët i saj si gjykatë karriere, si dhe mungesa e mekanizmit të vazhdimit të detyrës së gjyqtarëve të lartë deri në zëvendësimin e tyre.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë
Në lidhje me organizimin më eficent të punës së Këshillit vërehen këto probleme: a) Mungesa e një riorganizimi të anëtarëve të Këshillit, për një ndarje më të qartë të detyrave midis trupës së tij, inspektoratit dhe administratës së tij, si dhe për një organizim më efikas të mbledhjeve plenare të tij; b) Vlerësimi i gjyqtarëve nuk është proces i konsoliduar dhe transparent; c) Mungesa e harmonizimit të rregullave lidhur me kriteret dhe procedurën e emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit, për shkak të diferencës në kohë të miratimit të ligjit organik të KLD-së dhe ligjit organik të gjykatave; d) Mungesa e kritereve në ligj për transferimin e gjyqtarëve të të njëjtit nivel; e) Roli i dobët i KLD-së në hartimin dhe zbatimin e buxhetit financiar të pushtetit gjyqësor; f) Stafi administrativ në KLD nuk ka performancën e dëshiruar cilësore dhe procedurat e rekrutimit jo gjithmonë bazohen për thithjen e punonjësve profesionistë dhe me integritet të lartë. Në lidhje me veprimtarinë e gjykatave, vërehen këto probleme: a) Mungesa e rregullave të qarta që të lejojnë Këshillin të marrë masa konkrete për adresimin e problemeve që dalin nga inspektimet e gjykatave (probleme lidhur me transparencën e dhënies së drejtësisë, apo infrastrukturën e nevojshme në funksion të respektimit të solemnitetit nga gjyqtarët).
Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor
Aktualisht ka një nevojë për rritjen e kapaciteteve menaxhuese të ZABGJ-së për të mundësuar identifikimin më të saktë të nevojave financiare të pushtetit gjyqësor, si dhe planifikimin, menaxhimin e monitorimin e tij. Qasja e standardeve operuese për sigurimin e kushteve cilësore të punës, gjykimit dhe shërbimit, si nga këndvështrimi i gjyqtarëve, ashtu edhe nga këndvështrimi i qytetarëve, është ende e dobët.
Konferenca Gjyqësore Kombëtare
Rregullat e organizimit dhe të funksionimit të KGJK-së, në drejtim të shprehjes së vullnetit të të gjithë gjyqtarëve që përfaqëson për ushtrimin e kompetencave të sakta dhe konform ligjeve, nuk janë formalizuar ende në një ligj të veçantë.
Shkolla e Magjistraturës
Shkolla e Magjistraturës ka ende infrastrukturë dhe ambiente të pamjaftueshme për të siguruar realizimin e të gjithë veprimtarisë trajnuese, akademike dhe administrative të saj. Përmirësimi i infrastrukturës pa dyshim do të ndikojë edhe në cilësinë e mësimdhënies. Shkolla ka ende mjete të pamjaftueshme financiare, ndonëse mbështetet kryesisht nga Buxheti i Shtetit dhe në plotësim edhe nga partnerë ndërkombëtarë të ndryshëm të interesuar në realizimin e veprimtarisë së saj, sipas ligjit në fuqi, në fushën e trajnimeve dhe botimeve.
Prokuroria
Problematika e hasur në organin e prokurorisë është e ngjashme me atë të pushtetit gjyqësor, për shkak të ndërlidhjes së veprimtarisë së këtyre operatorëve. Lidhur me forcimin e pavarësisë së prokurorëve në procesin e hetimit, ligji për policinë gjyqësore, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, ka plotësuar kuadrin ligjor mbi forcimin e kapaciteteve investiguese në polici dhe prokurori. Megjithatë, nevojiten të merren hapa të tjerë kryesisht lidhur me plotësimin e kuadrit ligjor në zbatim të risive ligjore të sjella në forcimin e autonomisë së prokurorisë në hetimin paraprak dhe mundësinë për hetime proaktive (7 akte nënligjore).
Ministria e Drejtësisë
Inspektimet në Gjyqësor dhe në prokurori nuk duket të jenë plotësisht funksionale. Ka vërejtje për mbivendosje dhe mungesë bashkërendimi të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë me atë të KLD-së, për shkak të procedurave ligjore jo në përputhje me standardet europiane. Roli për mbikëqyrjen e administratës gjyqësore në funksion të rritjes së performancës dhe transparencës në pushtetin gjyqësor duhet konsoliduar. Gjithashtu, ka nevojë për të përmirësuar procedurat e bashkërendimit mes inspektorateve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si një bazë e shëndetshme për reflektimin e rekomandimeve qeveritare, që i adresohen çdo vit prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve
Kërkohen përpjekje të mëtejshme për arritjen e standardeve ndërkombëtare, sidomos atyre europiane dhe me fokus të veçantë te të miturit. Gjithashtu, kërkohen masa efektive për minimizimin dhe evitimin e rasteve të keqtrajtimeve fizike dhe psikologjike, sidomos të atyre në mbikëqyrje të policisë dhe me fokus të veçantë te të miturit. Ka ende qendra të ekzekutimit të dënimeve penale që funksionojnë mbi kapacitetet dhe mbeten për tu përmirësuar kushtet e përgjithshme të tyre, duke përfshirë edhe