Raporti më 12 tetor, KE: Pikat ku çalon Shqipëria
Në një kohë kur procesi zgjedhor në Shqipëri ende nuk ka përfunduar, Komisioni Europian hedh dritë mbi vlerësimin që do të përmbajë raporti i radhës i progresit për Shqipërinë, i cili publikohet më 12 tetor. Përveç lëvdatave për mos abuzimin me regjimin e lirë të vizave, Komisioni, i cili nuk ka marrë ende planin e korrigjuar të aksionit për zbatimin e 12 kritereve kyçe nga Shqipëria, vlerëson se nuk është përmbushur “as një i vetëm” prej tyre.
Raporti, siç raporton korrespondentja e “Top Channel” nga Brukseli, pritet të jetë një ndër më të rreptët në historikun e marrëdhënieve BE-Shqipëri, do t’i kushtojë një hapësirë mjaft të veçantë edhe procesit zgjedhor, e sidomos paqartësisë ligjore të vendimit të KQZ-së, për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara.
“Ka një shqetësim të qartë për mënyrën sesi vendimi është marrë në këtë moment të fazës së pas-numërimit. Por është gjithashtu e rëndësishme që tani procesi i ankesave të bëhet në qetësi, në respekt të rregullave institucionale dhe mendoj se çështja e saktësisë ligjore për këtë hap të ndërmarrë, nevojitet qartazi që të zgjidhet, në mënyrë transparente, të ndershme dhe ligjore, duke respektuar rendin ligjor shqiptar. Pra, unë do të thosha jo vetëm fjalët e legjislacionit në letër, por edhe frymën e legjislacionit shqiptar”, ka deklaruar Marta Garcia Fidalgo, shefe e Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian.
Përballë një prezantimi rozë nga qeveria shqiptare, Komisioni Europian rreshtoi vlerësime në të 12 kushtet që duhen përmbushur nga Shqipëria, duke vlerësuar mënjanë procesin zgjedhor, të cilin e ndau në disa faza. “Mendoj se situata, ashtu siç qëndron sot, është më pak e ndritur se çfarë ishte dy vite më parë. Prioriteti i parë kyç, ne nuk konsiderojmë këtë parlament se funksionon siç duhet. Prioriteti i dytë lidhet me miratimin e legjislacionit që kërkon shumicë të cilësuar. Njësoj mbi emërimin e Avokatit të Popullit dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë e asaj Kushtetuese, që kërkojnë shumicën parlamentare”, thuhet nga Brukseli.
Prioriteti numër 4 i Opinionit të Komisionit Europian, lidhet me rëndësinë për të modifikuar kuadrin ligjor në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Brukseli thotë se realiteti faktik është përsëri se këto modifikime nuk u bënë. “Duke shkuar në prioritetin e 5-të kyç, atë për garantimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet europiane e ato ndërkombëtare, më lejoni të kthehem në fund për këtë ndërhyrje mbi sjelljen dhe organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh Fidalgo.
Bashkimi Europian vlerëson se prioriteti numër 6, rekrutimi në shërbimin civil, vijon të bëhet me procedura jotransparente. “Prioriteti kyç numër 7, korrupsioni në gjyqësor, mbetet shqetësim. Vijmë te prioriteti numër 8, që lidhet me korrupsionin. Hetimet për rastet e korrupsionit nuk po bëjnë progres siç pritej. Kjo bën që në përgjithësi rastet e dënimit për korrupsion të mbetet i ulët dhe korrupsioni mbetet shqetësim në Shqipëri”, tha zyrtarja europiane.
Sakaq, prioriteti kyç numër 9 është klasifikuar lufta kundër trafikut të drogës dhe trafikut të qenieve njerëzore që ende cilësohen fusha shqetësuese. “Për prioritetin kyç numër 10, mbi të drejtat e pronës. Përsëri realizojmë se ka një progres të vogël në këtë fushë. Por puna dhe kjo është punë shumë e rëndësishme për qytetarët e thjeshtë dhe investimet, mbetet për t'u bërë. Prioriteti i 11-të, ne shënojmë incidentin që ndodhi me romët në shkurt. Prioriteti i fundit kyç, ai numër 12. Mendoj se nuk ka progres gjithashtu për trajtimin e të burgosurve me probleme mendore”, vlerësoi Fidalgo. Komisioni Europian thotë se ka pasur disa shqetësime për ushtrim të tepruar dhune gjatë arrestimit dhe ndalimit të bërë nga policia pas ngjarjes së 21 janarit të këtij viti. Duke u rikthyer te procesi zgjedhor, Fidalgo preferoi ta ndajë procesin në faza të ndryshme duke i diferencuar. “Mendoj se periudha parazgjedhore kishte polarizim të lartë, kishte mosbesim të qartë mes partive politike, sjellje konfrontuese, por mendoj se është e drejtë që të njohim se pati zgjedhje konkurruese dhe transparente. Problemet nisën pas procesit të numërimit, kur ata nisën me tabulatet dhe përballjen me ankesat. Të gjitha këto nivele do të qartësohen kur ne të vijmë me raportin e progresit në tetor. Mendoj se shqetësimi për votat e hedhura në kutitë e gabuara do të jetë kyç në fund”, ka nënvizuar Fidalgo. “E për ta mbyllur, mesazhi i dhënë nga qytetarët e Tiranës ishte shumë i qartë. Pavarësisht se kush do të jetë kryebashkiaku, zoti Rama që fiton me 10 vota, apo zoti Basha me 81 vota, mesazhi është se 50% e qytetarëve të Tiranës kanë votuar për një parti dhe 50 % për partinë tjetër, por kryebashkiaku i ri nevojitet të jetë kryebashkiaku i gjithë qytetarëve të Tiranës, e për këtë nevojitet frymë konsensuale. Fituesi, kushdoqoftë ai, duhet të jetë fitues e kryebashkiak për të gjithë qytetarët e qytetit të Tiranës”-tha ajo. .