E Diel, 1 Nëntor 2026

Monitorimi i lëvizjes pa viza, KE raporton në korrik

Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së diskutoi dje propozimin më të fundit të Komisionit Europian, për amendimin e kodit të vizave, me qëllim ndëshkimin e vendeve që abuzojnë. Procedura pritet të jetë e gjatë me disa muaj, pasi përfshin edhe miratimin nga Parlamenti Europian, prandaj Cecilia Malstrom, Komisionerja europiane për çështjet e brendshme, siguroi se për momentin nuk ka rrezik për rivendosjen e regjimit të vizave për Maqedoninë dhe Serbinë. “Ka ende shumë azil-kërkues që vijnë, në veçanti nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe nga Serbia në BE dhe vetëm pak prej kërkesave të tyre janë pranuar. Ky është një problem që e kemi ngritur me ta, në nivele të ndryshme. Unë e di që ata përpiqen të përmirësojnë gjendjen, pasi bëhet fjalë për njerëz që vijnë për shkak të kushteve të vështira ku jetojnë, siç janë romët. Pra kushtet e tyre duhen përmirësuar por kjo nuk mund të ndodhë vetëm në një javë, pra duhet të shohim më shumë përpjekje në këtë drejtim, si dhe me fushatat e informimit ne vende të veçanta”, tha Cecilia Malmstrom, Komisionere e brendshme e BE-së. Pas këshillave të radhës, Komisionerja garantoi se nuk është diskutuar pezullimi për Maqedoninë dhe Serbinë, por vetëm pezullimi si proces. Ajo rrëfeu se kishte vende që shprehën shqetësimin e tyre, por askush nuk kërkoi pezullim, ndërsa Komisioni do të raportojë për herë të parë në muajin korrik për mënyrën se si vendet e Ballkanit kanë respektuar lirinë e lëvizjes. Ministrat e Brendshëm hodhën poshtë në takimin e tyre në Luksemburg, edhe zgjerimin e zonës Shengen me Rumaninë dhe Bullgarinë, duke e shtyrë deri në vjeshtë vëzhgimin e plotësimit të kushteve nga dy vendet. Komisioni Europian shprehu dje shqetësim edhe për vendimin e qeverisë daneze për të rivendosur në ditët në vijim kufijtë e jashtëm, kontrollin e pasaportave, dhe për dëmet që një vendim i tillë do të sillte edhe për lëvizjen e lirë të mallrave. Shqipëria përfitoi nga lëvizja pa viza në hapësirën shengen pas vendimit të marrë në dhjetorin e vitit 2010. Deri më tani është deklaruar nga autoritetet e Komisionit Europian se nuk ka pasur tendenca për të abuzuar me këtë përfitim nga ana e qytetarëve të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›