Raporti për 2024-n, prokurori i Përgjithshëm: Rënia e numrit të prokurorëve ka sjellë vështirësi

Në prezantimin e raportit për vitin 2024, të Prokurorisë së Përgjithshme, kreu i këtij institucioni, Olsian Çela, ka bërë të ditur se përgjatë vitit të kaluar janë arritur një sërë objektivash.
Sipas tij, kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Kështu, ndër këto masa veçojmë: Ndjekjen e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet detajimit në planin e veprimit, ndjekjen e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave “Për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2024” nëpërmjet, miratimit dhe zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm si dhe të planit të veprimit me aktivitete të qarta për zbatimin e rekomandimeve prioritare.
Ndjekjen e objektivave prioritare institucionale në luftën kundër kriminalitetit, ku fokus të veçantë në vitin 2024 mori konsolidimi i procesit hetimor nëpërmjet një kuadri ligjor sa më të plotë e në përputhje me standardet ndërkombëtare, vijimi i punës për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme, vijimi i punës për digjitalizimin, hetimi efektiv dhe krijimi i një baze të dhënash të rasteve të pastrimit të parave, monitorimi i veprimtarisë së policisë gjyqësore, bashkërendimi me institucione të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, forcimi i kapaciteteve institucionale etj.” theksoi Çela.
Ai vuri në dukje se viti 2024 ishte një vit me vështirësi jo të pakta “për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar”.
“Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, e më tej intensifikimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale”, u shpreh prokurori i përgjithshëm.
Duke iu referuar të dhënave të raportit për vitin 2024, Çela shpjegon se “ngarkesa mesatare për çështjet e përfunduara sipas numrit faktik të prokurorëve në vitin 2024 rezulton se është më e lartë me 156 çështje të përfunduara, në Prokurorinë Tiranë dhe më e ulët me 100 çështje të përfunduara, në Prokurorinë Vlorë”.
Ai shtoi edhe kontributin e rëndësishëm të institucionit në kuadër të hartimit e ndjekjes periodike të ecurisë së masave të strategjive ndërsektoriale dhe planeve të tyre të veprimit si Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, Strategjisë së Drejtësisë për të Mitur, Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar dhe planit të veprimit kundër trafikimit të personave, Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit etj.
/rtsh.al/