E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raporti për të Drejtat e Njeriut, PS: Berisha shkel Kushtetutën

TIRANE - Raporti i publikuar mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, ku për herë të parë kanë qenë të një mendimi 70 organizata joqeveritare, qendrore dhe lokale, është një këmbanë alarmi për veshët e qeverisë së Sali Berishës. Kështu u shpreh sot deputeti i PS, Pirro Lutaj.

PS ka kujtuar se raporti shkruante edhe për Gërdecin, duke cituar se "lejimi i ushtrimit të një veprimtarie të paligjshme, si pasojë e së cilës humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm".

Si një prej çështjeve kryesore është renditur dhe heshtja vrastare e strukturave shtetërore përgjegjëse për zbardhjen e motiveve dhe autorit të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Partia Socialiste vazhdon të kërkojë me forcë zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

"Liria e medias, është shqetësuese në Shqipëri. Zbritëm 8 shkallë poshtë renditjes së një viti më parë në raportin e Reporterëve pa Kufij, mirëpo Sali Berisha dhe oborri i tij nuk heqin dorë nga dhunimi i medias, me rrahje, gjoba selektive apo kërcënime direkte te botuesve e gazetarëve që nuk janë në prehrin e pushtetit qeveritar", u shpreh ai.

Pikë tjetër shumë shqetësuese sipas këtij raporti është edhe trajtimi i të shoqëruarve, arrestuarve dhe të dënuarve nëpër burgjet shqiptare.

"Kjo kambanë alarmi që bie fort për mungesën e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut tregon se në Shqipëri nuk respektohet mbi të gjitha Kushtetuta e këtij vendi dhe kjo bëhet nga qeveria me Sali Berishën në krye", tha Lutaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›