E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasmusen: Ka shpresa se Pakistani do t’i hapë rrugët për NATO-n

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, thotë se “shpreson” se rrugët e furnizimit të NATO-s nga Pakistani për në Afganistan do të rihapen “jo në një të ardhme të largët”.

Këto komente ai i bëri sot në kryeqytetin e Australisë, Kanberra, pasi Shtetet e Bashkuara këtë javë i përfunduan bisedat me Pakistanin pa marrëveshje për rihapjen e rrugëve, që ishin mbyllur prej se nga sulmi ajror i NATO-s, në nëntor të vitit të kaluar, ishin vrarë 24 ushtarë pakistanezë.

Deri tash, NATO-ja ka arritur marrëveshje me Uzbekistanin, Kirgizinë dhe Kazakistanin, për të lejuar tërheqjen e pajisjeve ushtarake nga Afganistani.

Zoti Rasmusen, megjithatë tha se alternativat nëpër Azinë Qendrore mund të paraqiten më të shtrenjta se sa opsioni pakistanez.

Ai ka premtuar se NATO-ja nuk do të lë “vakuum të sigurisë” pasi të tërhiqen 130 mijë trupa të udhëhequra nga aleanca nga Afganistani, deri në fund të vitit 2014.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›