E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rastet e dhunës në Elbasan, gratë të ndikuara nga gjendja ekonomike nuk denoncojnë

Shifrat e raportimeve për dhunë ndaj grave vijojnë të jenë të larta në Elbasan.

Referuar të dhënave zyrtare vetëm për periudhën janar–shtator të këtij viti në Gjykatën e Elbasanit janë regjistruar 168 kërkesa për lëshim urdhërmbrojtjeje, nga të cilat janë pranuar 115 kërkesa.

Psikologia e Forumit të Gruas në qytet, Mirela Gjoni, shprehet se çdo ditë në qendër policia referon raste për t’u trajtuar.

“Gratë mbështeten nëpërmjet shërbimeve tona dhe duke i shoqëruar apo orientuar në shërbimet e tjera në territor”, shprehet ajo.

Një fëmijë i dhunuar për psikologët rrezikon të kthehet në një të rritur abuziv në rast se modeli në familje është i një prindi dhunues.

Rastet e dhunës shënohen më së shumti te gratë e martuara, ndërsa shkaqet janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga arsyet ekonomike deri te tradhtia bashkëshortore.

Gjatë vitit 2023 në Gjykatën e Elbasanit u depozituan rreth 500 kërkesa, që kishin të bënin me dhunën në familje, duke nxjerrë në pah se fenomeni i dhunës vijon të jetë shqetësues edhe në qarkun e Elbasanit.

Gazetar: Enes Molla

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›