Rasti i shqiptares ndan drejtësinë amerikane: A meriton azil dikush që rrezikon të prostituohet?
Rasti i një shqiptareje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndarë drejtësinë në këtë vend, duke rrezikuar që çështja të shkojë në Gjykatën Supreme.
Të premten një gjykatë federale e apelit vendosi se Joana Cece ka të drejtë të marrë azil në SHBA. Kjo nuk do thotë se ajo do marrë automatikisht azil, por vendimi ka shkaktuar shumë debat, raporton Christian Science Monitor.
Ky vendim është në kundërshtim me dy vendime të mëparshme, të dhëna nga dy gjykata të tjera apeli.
Por si qëndron çështja?
Cece, e ardhur ilegalisht në SHBA, pretendon se nëse ajo deportohet në Shqipëri, rrezikon që të rrëmbehet dhe të nxirret në rrugë për të punuar si prostitutë.
Cece u tha zyrtarëve amerikanë se prindërit e saj u larguan nga Shqipëria në vitin 2001 dhe ajo u detyrua që të jetonte vetëm. Është e pazakontë për një femër që të jetojë vetëm në Shqipëri jashtë një grupi mbrojtës, thuhet në vendimin e gjykatës.
Cece thotë se menjëherë ajo tërhoqi vëmendjen e një drejtuesi të një grupi kriminal në Shqipëri, që rrëmben vajza dhe i detyron të prostituojnë.
Pasi u kërcënua disa herë, ajo u largua nga vendi drejt Italisë. Me një pasaportë false italiane udhëtoi drejt SHBA ku ka aplikuar për azil.
Gjykata e apelit e ka identifikuar grupin e grave që jetojnë të vetmuara në Shqipëri si një shënjestër të trafikantëve të seksit.
Në këtë mënyrë, Cece ka të drejtën për azil.
Që të marrësh azil në SHBA duhet të provosh në mënyrë të bazuar se persekutohesh në vendin tënd për shkak të racës, fesë, kombësisë, opinionit politik ose pjesëmarrjes në një grup të caktuar social.
Në këtë rast, grupi i caktuar social përfshin vajzat e reja në Shqipëri, që janë në rrezik për tu prostituuar.
Por një gjykatës thotë se krimi vërtet mund të jetë i shumëpërhapur në Shqipëri, por edhe në SHBA njerëzit detyrohen të prostituojnë.
Në këtë mënyrë lind pyetja nëse është në të vërtetë një grup social ai i vajzave të vetmuara që rrezikojnë të trafikohen.
Kjo është edhe epiqendra e diskutimeve, që duket se do përfundojë në gjykatën më të lartë amerikane./ep