E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagime në Prishtinë ndaj vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Jakup Krasniqi është dënuar po ashtu me 25 vjet, për disa vepra të krimeve të luftës; Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet heqje lirie.

Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Pas vendimit të shumta kanë qenë reagimet si nga zyrtarët e qeverisë, politikanë e qytetarë që e kanë ndjekur dhënien e vendimit jashtë Gjykatës Speciale në Hagë por edhe në sheshe e rrugë në qytetet e Kosovës.

Konjufca: Këto janë dënime të tmerrshme

Ministri i jashtëm i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca  e ka quajtur të tmerrshëm vendimin e Gjykatës Speciale për të dënuar katërshen e UCK-së.

“E vlerësojmë si një gjykim të tmerrshëm për Kosovën, për popullin tonë, për luftën tonë çlirimtare. Populli i Kosovës vetë e ka përjetuar luftën dhe e di se çfarë është lufta çlirimtare e Kosovës dhe ne e dimë që nuk ka pasur kurrfarë mekanizmi kriminal për ta cenuar asnjë popullatë brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk mund të gjesh kurrfarë programi, kurrfarë qëllimi brenda UÇK-së me këto të cilat po pretendon gjykata. Është një vendim vërtetë i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është vërtet diçka për të cilën do të jetë një dëm shumë i madh edhe për narracionin tonë edhe për shtetin e Kosovës”

Konjufca sa se edhe vitet e burgut që iu dhanë Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit janë shumë të larta.

“Kur po më kujtohet që aktakuzën e kanë pasur në Serbi 15 vite, 15 vite kanë qenë këta në Serbi, po t’i arrestonte Serbia dhe po të vinte deri te dënimi i tyre, 15 vite po t’i dënon Serbia në mungesë, e këta kinse në emër të popullit me këto dënime drakonike. Duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat në kuadër të ligjit edhe të përpjekjeve tona ndërkombëtare për t’u hequr këto dënime”, tha Konjufca.

Haradinaj bën thirrje për qetësi: Beteja për drejtësi të vazhdojë në shkallën e dytë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tani deputet i Aleancës, e ka cilësuar si “të papranueshëm” dhe “të padrejtë” aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi dhe për vazhdimin e betejës ligjore në shkallën e dytë.

“Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të fitohet në shkallën e dytë”, tha Haradinaj përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet social.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos dëmtojnë pronën dhe të mos rrezikojnë jetën e njerëzve si reagim ndaj aktgjykimit.

“Nëse e shkatërrojmë Kosovën, u ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, tha Haradinaj.

Gucati: Nuk duhet t’i humbim shpresat, mbetet apeli

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka dënuar ashpër aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar Gjykatën Speciale si “gjykatë të tmerrshme dhe kriminale”.

“Sot gjykata arriti të kënaqë Serbinë dhe Rusinë me këto dënime”, tha Gucati.

Ai tha se shpresat tani mbeten te procesi i apelit.

PDK: Aktgjykimi është i padrejtë dhe i papranueshëm

Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si “të padrejtë dhe të papranueshëm” aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se do ta kundërshtojë atë “me të gjitha mjetet demokratike”.

Në një reagim pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, PDK-ja tha se vendimi përbën “goditje të rëndë” dhe pretendoi se ai mbështetet në materiale që partia i konsideron të fabrikuara dhe të nxitura nga Serbia me synim kriminalizimin e luftës së UÇK-së.

“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por, historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot”, thuhet në reagim.

PDK-ja tha se aktgjykimi nuk është “fjala e fundit”, duke iu referuar vazhdimit të procesit gjyqësor.

“Ne për drejtësinë do të luftojmë deri në fund dhe për të vërtetën nuk do të heshtim kurrë”, tha PDK-ja, duke shtuar se synimi i saj mbetet lirimi i katër ish-krerëve të UÇK-së.

Abdixhiku: UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë së popullit tonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës dhe se aktgjykimi i sotëm nuk mund ta ndryshojë atë që ai e cilëson si të vërtetën historike të luftës.

“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë. UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka përmendur krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se, sipas tij, regjimi i Serbisë ushtroi dhunë ndaj popullsisë civile, kreu vrasje dhe dëbime dhe shkatërroi vendbanime.

“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Regjimi i Serbisë ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, ushtroi dhunë, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka bërë thirrje për unitet politik pas vendimit të Speciales, duke kërkuar që forcat politike t’i lënë mënjanë ndasitë.

“U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën. Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve. Ta ruajmë Kosovën, unitetin qytetar dhe miqësitë që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, ka përfunduar Abdixhiku.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›