Reagime për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Reagime të shumta pati pas lajmit se ndërroi jetë regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se, nuk zhbëhet kurrë ndërgjegjja e kinemasë shqiptare të cilën Anagnosti e personifikoi si askush.
Kumbaro zgjodhi ta kujtonte Mjeshtrin e Madh, me një pasazh nga vepra e tij “Koburja dhe Europa”, ku shkruante: “Nuk kam frikë të shkoj në gjyqin e fundit, sepse aty do të flas në gjuhën shqipe”.
Ministrja më tej, i shprehu ngushëllimet bashkëshortes së të ndjerit, duke e cilësuar si gruaja e jashtëzakonshme Roza Xhuxha Anagnosti, si dhe vajzave të dy kineastëve. “Lamtumirë shqipe e kinemasë shqiptare dhe europiane”, shkroi ministrja Kumbaro.
Ndërsa ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, shpërndau në rrjet, në shenjë respekti për regjisorin Anagnosti, një fragment nga filmi “Përrallë nga e kaluara”.
Në heshtje, me respekt të thellë, i tha lamtumirë mjeshtrit të kinematografisë, edhe institucioni i Avokatit të Popullit.
“Dhimitër Anagnosti nuk ishte thjesht një regjisor por një rrëfimtar i jetës shqiptare si një profesionist me ndërgjegje artistike që nuk bëri kompromis me kohën. Me largimin e tij, Shqipëria humbi një ndër shtyllat e saj të kulturës, por fitoi përjetësinë e veprës që ai la pas”, u shpreh Avokati i Popullit.
Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Bledi Çuçi, kujtoi trashëgiminë e çmuar artistike të Anagnostit, e cila do të rrojë përjetësisht në kujtesën tonë kolektive dhe në kulturën kombëtare.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë në një postim në rrjetet sociale u shpreh se largimi i Dhimitër Anagnostit është një humbje që ndjehet thellë, një boshllëk që nuk mund të plotësohet.
“Ai nuk ishte thjesht një artist, ishte një shpirt që e ndiente çdo detaj të jetës dhe e pasqyronte atë në çdo vepër filmike. Me çdo fjalë, çdo skenë, çdo dritë të imagjinatës së tij, na mësoi që kinemaja është arti më i bukur. Nuk ishte vetëm krijues, ishte një njeri që e bëri artin një pasion që të zinte frymën.
Në çdo pjesë të veprës së tij, mbeti një shenjë e pashlyeshme: ajo e një njeriu që ia dha gjithçka artit që besonte. Veprat e tij janë më shumë se thjesht histori, janë gjurmë që do të udhëheqin brezat që do të vijnë. Taqo, faleminderit që më shumë se një jetë, na dhurove një pasuri të pafundme. U prehsh në paqe, dhe artin tënd do ta mbajmë përjetësisht të ndezur”, shkroi sot Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Ina Zhupa, tha se kjo e sotmja është një ditë e trishtë për kinematografinë, një ditë e trishtë për artin shqiptar, një ditë e trishtë për artdashësit. Duke shprehur ngushëllimet për familjen Anagnosti, Zhupa përmendi edhe kontributin që Dhimitër Anagnosti dha në politikë si deputet dhe ministër i Kulturës i Partisë Demokratike.
/a.f/