Reagon Meta: Hapja e negociatave vetëm për arsye gjeopolitike

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot nga burgu ku qëndron i akuzuar nga SPAK për 3 vepra penale, në lidhje me integrimin evropian dhe progresraportin e këtij viti të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Sipas Metës, ekzaltimi fals i Kryeministrit Rama për grupkapitujt, pasi e bllokoi integrimin europian të vendit për një dekadë është tregues i hipokrizisë dhe papërgjegjshmërisë për një proces që duhej të ishte përmbyllur prej kohësh.
“Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit më 2006, para Malit të Zi, Serbisë dhe vendeve të tjera, që e nënshkruan atë vite më pas. Ndërkohë ato i çelën negociatat më 2012 dhe 2014 dhe janë në një stad shumë më të avancuar edhe pse kishin problem me Gjykatat Ndërkombëtare dhe konflikte ndëretnike”, u shpreh Meta në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, Shqipëria ka pasur e ka vetëm një problem, kapjen e shtetit nga mafia dhe sidomos kapjen e drejtësisë, e cila nga një reformë me 140 vota, përfundoi me 69 vota dhe betime gjyqtarësh te noteri te Lana.
“Ky zhvillim edhe pse shumë i vonuar është vetëm për arsye gjeopolitike dhe se s’mund të vazhdojë më shumë”, u shpreh Meta.
“Ndërsa premtimi solemn se brenda tre vitesh do mbyllen negociatat është fiks si premtimi i mbajtur para ardhjes në pushtet të “Rilindjes” për “shëndetësinë falas” apo premtimi se brenda një mandati do zgjidhej problemi i ujit të pijshëm në të gjithë vendin”, vuri në dukje ai.
Sipas Metës, beteja e Partisë së Lirisë dhe opozitës të vërtetë kundër kapjes së shtetit dhe rikthimit të llogaridhënies do të zhbllokojë edhe procesin e integrimit europian.