E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon Peleshi pas kaosit në parlament: Kuvendi nuk është arenë për përplasje, por institucion i dialogut

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas ngjarjeve të tensionuara që ndodhën sot në parlament. Seanca e fundit për këtë vit u ndërpre, pasi salla u mbush me tym nga flakadanët dhe shpërthyen përplasje të dhunshme mes deputetëve dhe Gardës së Republikës.

Në reagimin e tij, Peleshi theksoi rëndësinë e respektimit të institucioneve dhe vendosjes së interesit të shtetit mbi atë politik.

“Kuvendi i Shqipërisë nuk është thjesht një vend debatesh, por institucioni ku fjala dhe sjelljet e deputetëve duhet të mbajnë e dëshmojnë peshën e përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë mirëkuptimit, jo përçarjes. Çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin, cënon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve. Detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos.”

Duke vendosur theksin mbi përgjegjësinë e përbashkët, Peleshi shtoi se “Mbi interesin politik qëndron interesi i shtetit. Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe asnjë ndarje partiake nuk duhet të na bëjë të harrojmë se të gjithë shërbejmë për të njëjtin vend dhe për të njëjtët qytetarë. Institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake. Ruajtja, forcimi dhe respektimi i tyre është përgjegjësi që na bashkon përtej ndarjeve tona politike. Vetëm kur e vëmë shtetin mbi partinë, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë për brezat që vijnë. Respekti për Kuvendin është respekt për Republikën, respekt për qytetarët.”

Në fund, kreu i Kuvendit, shprehu mirënjohjen e tij për punonjësit e Gardës së Republikës dhe shërbimet e Kuvendit.

“Mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe të shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë në kryerjen e detyrës.”

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Politika

    Të gjitha ›