E Hënë, 2 Nëntor 2026

Real Madrid këmbëngul për Klopp

Real Madrid ka kontaktuar Jurgen Klopp, përmes një ndërmjetësi, për të mësuar nëse gjermani do të ishte i interesuar për stolin, në rast largimi të Carlo Ancelottit. Megjithatë, i preferuari mbetet Xabi Alonso, të cilit Bayer Leverkusen nuk do t’i bëhet pengesë.

 Real Madrid ka kontaktuar dy herë ish-trajnerin e Liverpoolit, Jurgen Klopp, për të marrë drejtimin e skuadrës në rast largimi të parakohshëm të trajnerit Carlo Ancellotti. Ky i fundit është nën kontratë deri më 2026, por mund të largohet për të marrë stolin e Brazilit, ndërkohë që edhe klubi madrilen ndien nevojën e një rinovimi pas sezonit aktual, ku është mundur nga Barcelona në Kupë dhe Superkupë, e ndjek me katër pikë më pak në kampionat, ndërsa në Champions League doli nga skena në çerekfinale.

Kontaktet me Klopp nuk kanë qenë të drejtërpërdrejta e për t’i ofruar stolin, por përmes një ndërmjetësi, për të mësuar nëse gjermani do të ishte i interesuar nëse i jepet mundësia. Gazeta Marca, që raporton për dy biseda midis ndërmjetësit dhe Klopp, thotë se gjithsesi favoriti i stolit mbete Xabi Alonso, për të cilin Bayer Leverkusen nuk do të bëhet pengesë.

Ai ka një klauzolë që mund ta ndërpresë kontratën për të shkuar në Madrid, megjithatë nuk do të ishte falas. Shifra reale nuk dihet, përflitet që është e madhe, megjithatë, edhe në rast se dëshiron Klopp, vështirë se Red Bull do ta lironte falas nga roli i drejtorit të futbollit, të cilin trajneri e ka marrë vetëm në janar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›