Real e Chelsea, kompletojnë çerekfinalen

Real Madrid dhe Chelsea janë dy skuadrat e fundit që e kanë siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Madrilenët janë hakmarrë ndaj Olympique Lyon, të cilin e mposhtën bindshëm me rezultat 3:0, në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales.
Ekipi i Jose Mourinhos e kishte nxjerrë një barazim të vlefshëm 1:1 në takimin e parë në Francë dhe në këtë ndeshje i konvenonte barazimi pa gola. Por, kjo nuk i mjaftoi, pasi që dominoi gjatë tërë ndeshjes dhe si rezultat, e gjeti tri herë rrjetën.
Merengues e kanë gjetur golin e parë në minutën e 37-të me anë të mbrojtësit të majtë, Marcelo, i cili me mjeshtri kalon dy mbrojtës mysafirë, për ta quar topin në rrjetë.
Karim Benzema e ka konfirmuar formën e mirë, duke shënuar golin e dytë të spanjollëve dhe të dytin personal ndaj ish skuadrës së tij, në minutën e 66-të, pas një gabimi të lojtarëve të ekipit udhëtues.
Kurse, vulë këtij takimi i dha mesfushori Di Maria, i cili e mposhti me gjakftohtësi portierin Lloris. Me këtë rast, Reali iu hakmor Lyonit, i cili ishte bërë ‘exhel’ i madrilenëve në vitet e fundit. Gjiganti spanjoll e kaloi të tetën e finales pas 7 vjetësh.
Në ndeshjen tjetër, Chelseas i mjaftoi barazimi ndaj Copenhagen, për ta prerë biletën për çerekfinale. Ekipi londinez e ruajti me mençuri komoditetin e ndeshjes së parë, kur fitonte në Danimarkë 2:0, për t’iu bashkuar tetë ekipeve më të mira evropiane.
Pra, pas Barcelonës, Shakhtar Donetsk, Tottenham, Inter, Schalke e Manchester United, Real Madrid dhe Chelsea e kompletuan çerekfinalen të mërkurën mbrëma. Shorti i çerekfinales do të hidhet të premten nga ora 12.
Liga e Kampionëve
E teta e finales
Rezultatet
Chelsea – Copenhagen0:0 (2:0)
Real Madrid – Lyon3:0 (1:1)
Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para