E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real shkarkoi Pelegrinin, pret Mourinhon

Spekulimet që patën pushtuar mediat për të ardhmen e Real Madridit, në fund dolën të vërteta.

Manuel Pelegrini u shkarkua nga detyra e trajnerit, ndërsa dera u hap për Kampionin e ri të Europës, Jose Mourinhon.

Presidenti i klubit spanjoll, Florentino Perez, të mërkurën pasdite, ka mbledhur Bordin dhe ka marrë vendim për t’u përshëndetur me Manuel Pelegrinin.

“Nuk ishte një vendim i lehtë. Por, jemi të bindur 100 për qind se kemi nevojë për ndryshime”, tha ai.

Perez njoftoi se Jose Mourinho do të emërohet trajner i Realit, posa ta shkëpusë kontratën me Interin.
Ai tha se portugezi është pajtuar në parim me kushtet.

“Jemi të bindur se Klubi ka nevojë për një frymë të re, dhe jemi të bindur se Jose Mourinho është njeriu i duhur për këtë. Jemi tepër të lumtur që Mourinho do ta marrë në duart e tij Realin. Ai është njeriu i duhur. Ka fituar çdo gjë të mundshme”, deklaroi Perez.

Perez tha se askush në Bord nuk ishte kundër vendimit për nënshkrimin e Mourinhos.

“Përkundrazi, të gjithë janë entuziastë që do të mund të rekrutojnë njërin nga trajnerët më të mirë në botë”, tha ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›