Reali fitoi La Ligan më të mirë në histori

Kreu i gjigantit madrilen mendon se sezoni 2011-12 në Kampionatin spanjoll ishte më kualitativi për shkak të rekordeve që u thyen gjatë tij. Los Blancos shënuan 121 gola dhe grumbulluan 100 pikë nga 38 ndeshje duke përfunduar në krye para Barcelonës.
Perez ka lavdëruar ekipin që riktheu trofeun në Santiago Bernabeu. “Real Madridi fitoi sezonin më të mirë të La Ligas në histori për shkak se u thyen shumë rekorde. Ka qenë edicioni kur arritëm të tubojmë 100 pikë”, deklaroi Perez për EP.
“Triumfi ynë ishte rezultat i punës së madhe nga shumë futbollistë të talentuar. Stafi teknik, tifozët dhe gjithë punëtorët në Madrid ishin të bashkuar drejt qëllimit, titullit të kampionit”, përfundoi ai.
Përveç që Reali arriti kuotën e 100 pikëve, dhe rekordin për numrin e golave të shënuar gjatë një edicioni, ylli i Barcelonës, Lionel Messi u dallua për 50 golat e tij, rekord për çmimin Pichichi.