Realizohet me sukses kranioplastika e parë në Spitalin Memorial Fier

Në Spitalin Memorial në Fier është kryer me sukses kranioplastika e parë, një ndërhyrje e avancuar neurokirurgjikale që i riktheu shpresën për jetë një pacienti 75-vjeçar, pas një dëmtimi të rëndë cerebral.
Pas një periudhe 6-mujore pritjeje dhe kujdesi të vazhdueshëm mjekësor, pjesa e munguar e kraniotomisë iu vendos sërish pacientit, i cili tashmë është larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila shprehu mirënjohje për ekipin multidisiplinar që realizoi me sukses ndërhyrjen: Dr. Egemen Nursoy, Dr. Klaudio Disha, Dr. Hasan Bayindir, Dr. Holta Kraja, Dr. Xhesika Hoxha dhe infermieren Fjorida Ago.
Kranioplastika është një procedurë e specializuar neurokirurgjikale që aplikohet në raste dëmtimesh traumatike, defekte kongjenitale apo ndërhyrjesh të mëparshme kirurgjikale në tru. Kjo teknikë ndihmon jo vetëm në rikuperimin estetik dhe funksional të kafkës, por edhe në mbrojtjen e trurit nga dëmtime të mëtejshme.
/rtsh.al/