Recepsionisti rrëfen momentet kur tetovari qëlloi mbi të dashurën dhe veten: Kërcënoi dhe pastruesen
Recepsionisti i hotelit ku ndodhi ngjarja e rëndë dje, që la një të vdekur dhe një të plagosur, ka treguar momentet e ngjarjes.
Rasim K. thotë se Agim Emini kishte pesë ditë që kishte ardhur në hotel, kurse vajza, Ana Sulçe, ka ardhur dje.
Ata janë ngjitur në dhomë ku kanë qëndruar për pak minuta.
Pastruesja thotë se ka dëgjuar një debat me zë të lartë në dhomë.
Nga rrethanat duhet të ketë dalë vajza e para dhe ai e ka ndjekur pas deri te sheshpushimi mes shkallëve. Aty kanë debatuar prapë dhe ai e ka qëlluar, sepse pastruesja ka dëgjuar një të shtënë arme, thotë recepsionisti.
I pyetur nëse pastruesja e ka parë ngjarjen, ai thotë: Po i ka parë. Ka shkuar të shohë çfarë po ndodhte kur ka dëgjuar armën. I ka bërtitur duke i thënë: Çfarë bëre, e vrave vajën!. Ai ia ka drejtuar edhe asaj pistoletën. I ka thënë të pushonte se do ta vriste edhe atë. Kur e ka prekur vajzën, e ka marrë një herë në krah dhe e ka ulur prapë se ka dyshuar se ka vdekur. Pastaj ka bërë të dalë nga hoteli dhe sa ka zbritur 2 shkallë, ka vrarë veten, me plumb në gojë.
Agim Emini, 52 vjeçari nga Tetova, qëlloi të dashurën e tij, Ana Sulçe, 21 vjeç nga Skrapari.
Panorama raporton se Sulçe ishte në prag të fejesës, kurse Emini ishte beqar dhe i dënuar me 15 vite burg për trafik droge në Zvicër.
Lidhja intime mes Agim Eminit 52 vjeç nga Tetova dhe studentes 21-vjeçare, e cila ishte e fejuar me një djalë tjetër, Ana Sulçe, kishte nisur në fillim të vitit 2013.
Ata mësohet se janë njohur në rrjetin social Facebook dhe pasi kishin komunikuar për disa ditë, Emini kishte ardhur në Tiranë për ta takuar.
Në këtë mënyrë kishin nisur kontaktet e tyre më të shpeshta duke u njohur më shumë. Për pak kohë kishin nisur edhe të udhëtonin bashkë jashtë Shqipërisë, në Greqi e Maqedoni.
Nga të dhënat në pikën kufitare të Qafë-Thanës, nga ku kanë kaluar bashkë Emini dhe Sulçe, rezulton që 21-vjeçarja ka qëndruar 3 muaj bashkë me të dashurin e saj në Maqedoni./ep