E Hënë, 2 Nëntor 2026

Receta mjekësore e unifikuar, Koçiu me Urdhrin e Farmacistëve: Të garantojmë zbatimin

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Nga dita e sotme, 1 gusht, receta mjekësore në formatin e ri unik, hyn në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Ky model i ri i recetës lehtëson ndjeshëm punën e farmacistëve, ofron më shumë siguri për qytetarët dhe përmirëson ndjekjen e trajtimeve sipas rekomandimeve të mjekut.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi sot një takim me Urdhrin e Farmacistëve, me qëllim garantimin e zbatimit me sukses të këtij ndryshimi.

Ministrja Koçiu tha se “nga sot, receta e re mjekësore përdoret në të gjithë vendin në një format unik”.

Sipas Koçiut, ky model i unifikuar i recetës mjekësore sjell më shumë siguri për pacientët dhe më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deklaroi se me formatin e ri, mjekët do të kenë mundësinë të lëshojnë recetë mjekësore deri në 6 muaj, në rastet kur pacientët do të kenë nevojë për trajtim afatgjatë, si dhe me përmbajtjen dhe të dhënat e kërkuara për plotësim, rritet me tej siguria e pacientëve në marrjen e barnave.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishëm, si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Urdhërin e Farmacistëve 1 nga 5

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›