E Diel, 1 Nëntor 2026

Recetat, mjekët i plotësojnë në fshehtësi

Doktorët zbatojnë udhëzimin për rekomandimet, por askush nuk iu heq të drejtën e profesionit

Urdhri për mënyrën e lëshimit të recetave, i firmosur javën e kaluar, ka nisur të zbatohet në spitalet e të gjithë vendit. Sipas udhëzimit, ka të drejtë të lëshojë recetë për barna vetëm shefi i shërbimit përkatës. I vetmi person që aktualisht ka të drejtë ligjërisht të firmosë recetat, është kreu i shërbimit. Ky urdhër ka qenë pak i “thartë” për mjekët e tjerë të cilët, pavarësisht se nuk kanë kompetenca për të nënshkruar receta, kanë të drejtë për të ushtruar detyrën e mjekut, me të gjitha kompetencat që i atribuon profesioni, përfshirë edhe Betimin e Hipokratit, për t’i ndihmuar të sëmurët në mënyrën më të mirë, për problemet e shqetësimet shëndetësore. Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë ka nisur zbatimin prej dy javësh. E megjithatë, në rastet kur pacientët janë këmbëngulës për të mos e ndryshuar mjekun, apo për të marrë këshilla nga specialisti që u ka sugjeruar, mjeku i lagjes, i fshatit apo i qytetit, nuk “shkulen” nga dera e tij pa marrë mendimin se cilat nga ilaçet duhet të përdorin. Në këto kushte, urdhri i lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë zbatohet, por nga ana tjetër edhe e drejta për të dhënë sugjerime, apo për të përshkruar receta, pa vula e pa firma, ndryshe të njohura si receta informale, vazhdon të jetë në “xhepin” e mjekut. Sikundërse ato mund të firmosen e vulosen lehtësisht e në mënyrë formale, në klinika apo në qendra private ku ofrohet kujdes shëndetësor.

Në të vërtetë, mjekët nuk kanë dëshirë të flasin e të shprehen publikisht, por këto dy javë kanë diskutuar e kanë folur mes tyre, se ky urdhër do të dalë nga zbatimi, menjëherë pas nënshkrimit të protokolleve të mjekimit. Pasi trajtimi e kujdesi për një sëmundje do të jetë i standardizuar, atëherë nuk do të ketë probleme për nënshkrimet e recetave, si dhe me heqjen e së drejtës së firmosjes së recetave të ilaçeve nga mjekët e thjeshtë, që nuk kanë funksionin e shefit të shërbimit.

“Në raste të domosdoshme të sugjerimit për blerje të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor, për personat e shtruar në spital, ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik, pa firmën e shefit të shërbimit”, thuhet në urdhrin e lëshuar nga shëndetësia. Kjo masë, sipas strukturave shëndetësore, është marrë për të vendosur në pozita mjekët që të mos çojnë pacientët të blejnë në farmaci ilaçe, të cilat ndodhen në farmacinë e spitalit.

Me urdhër apo jo, me leje apo pa leje, pavarësisht problematikave e gjithçka tjetër, pjesa më e madhe e mjekëve janë të mendimit që të japësh një recetë me ilaçe është një detyrim dhe një përgjegjësi që parashikon profesioni. Sipas mjekëve, jo të gjithë profesionistët e shëndetësisë janë të përfshirë në afera me farmacistë, apo kanë farmacitë e tyre e në këtë mënyrë duan të shtojnë edhe më tej fitimet. Sakaq, një prej shërbimeve ku pacientët ishin të detyruar të blinin ilaçe privatisht, sepse spitali nuk kishte, tashmë ka zgjidhur gjysmën e problemit. Dy ditë më parë është njoftuar se janë prokuruar 16 lloje barnash për shërbimin e onkologjikut, ku trajtohen të sëmurët me tumore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›