E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronësia intelektuale

U prezantua dje, gjatë një takimi ndërministror, draft-strategjia mbi pronësinë intelektuale dhe industriale, pjesë e së cilës është edhe Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit. Drejtoresha Nikoleta Gjordeni ka paraqitur para pjesëmarrësve propozimet dhe komentet e zyrës që drejton, për sa i takon draftit, i cili do të dorëzohet pranë Këshillit të Ministrave gjatë muajit maj Ta mbrojmë me kërkesë të Europës

Një draft-strategji mbi pronësinë intelektuale dhe industriale ka bërë që të mblidhej dje në ambientet e Ministrisë së Integrimit një grup ndërministror, por edhe pjesëmarrës të tjerë, të cilët mbeten të interesuarit direkt për këtë çështje. Veç prezantimit të draft-strategjisë, e cila pritet të dorëzohet pranë Këshillit të Ministrave në muajin maj, pjesë e këtij programi ishte edhe diskutimi e komentimi, vlerësimi, por edhe transmetimi i vërejtjeve të pjesëmarrësve. Me në krye zëvendësministrin e Integrimit, Edmond Hoxha (Pasuria Intelektuale dhe Industriale është një prej detyrimeve që kjo ministri ka pas firmosje së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit), në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe ekspertë të huaj si Lukas Lorenc e Pasal Philix, Safet Sula, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave, Nikoleta Gjordeni, drejtoreshë e Zyrës Shqiptare të të Drejtave të Autorit etj. Sipas specialistit Lukas Lorenc, ky projekt-draft është i ndërtuar mbi një pamje të përgjithshme të asaj që pritet të jetë dhe dokumentet mbi të cilat do të zbatohen këto ndryshime, si dhe situatën aktuale të Pasurisë Intelektuale dhe Industriale, ligjeve në mbrojtje të tyre, si dhe një përshkrim i institucioneve që kanë të bëjnë me këto pasuri. Sipas Lorencit, më të rëndësishmet prej tyre mbeten Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave, Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit, Policia dhe Dogana. Në fjalën e saj, drejtoresha e ZSHDA-së, Nikoleta Gjordeni, u shpreh se përpos ndryshimeve të aprovuara në këtë strategji, një pjesë e tyre kanë ende nevojë për rishikim. Në fjalën e saj, Gjordeni vuri theksin sidomos në propozimin e ri për sa u takon zyrave rajonale për të Drejtën e Autorit. Ajo u shpreh se në bazë të interpretimit të sotëm të ligjit në fuqi mbi të drejtat e autorit, këto zyra rajonale, si rol kryesor të tyre kanë inspektimin dhe monitorimin e tregut, konstatimin e kundravajtjeve administrative dhe kërcënimin me gjoba të subjekteve ku këto kundravajtje konstatohen. “Në draft-strategji rezulton se këtyre zyrave u është bashkangjitur edhe një funksion i ri arbitrar. Kjo gjë nuk mund të funksionojë. Zyra e arbitrimit duhet të jetë, sikurse është tashmë, në zyrën qendrore. Ne nuk mund të kemi zyra rajonale arbitrimi për zgjidhjen e konflikteve për ligjin e të drejtave të autorit, kjo edhe për shkak të ligjit aktual, ashtu sikundër edhe për shkak të arbitrave të specializuar, të kostove administrative etj., që e bën të pamundur funksionimin e këtyre zyrave si arbitrare”, u shpreh Gjordeni, propozimi i së cilës u pranua menjëherë prej ekspertit Lukas Lorenco. Më tej drejtoresha e ZSHDA-së foli edhe për fuqizimin e zyrës që ajo drejton aktualisht. “Mbetet një domosdoshmëri fuqizimi i kësaj strukture të specializuar në fushën e pronësisë intelektuale dhe të drejtës së autorit. Ndaj edhe rekomandimet e bëra në këtë strategji për rolin dhe përgjegjësitë që kjo zyrë duhet të kryejë e mbështesin plotësisht këtë”, vijoi ajo. Ndër të tjera, për Gjordenin prioritet i ZSHDA-së mbetet edhe ndërgjegjësimi dhe edukimi në fushën e pasurisë intelektuale dhe industriale. “Jemi dakord që kjo të mbetet një ndër detyrat dhe sfidat kryesore për t’u përmbushur dhe mbështesim propozimin e rolit drejtues dhe mbikëqyrës në këtë proces të dy institucioneve të specializuara në pronësinë intelektuale në Shqipëri, ZSHDA-ja dhe DPPM-ja”, komentoi ajo, duke përmendur në këtë kuadër përfshirjen e njohurive mbi këtë fushë edhe në sistemin arsimor, ku një rol të rëndësishëm do të kryejë Ministria e Arsimit. Programet të cilat do të transmetohen nga operatorët radio-televizivë duhet të jenë të certifikuar prej ZSHDA-së, në mënyrë që të sigurohet që e drejta e transmetimit dhe të drejtat e autorit t’u jenë paguar agjencive të administrimit kolektiv, apo titullarëve të së drejtës mbi këto programe. Ndër ndryshimet e tjera të propozuara në këtë projekt-strategji është vendosur që Zyra e të Drejtave të Autorit duhet të krijojë një database elektronik të të dhënave, si një element i rëndësishëm dhe detyrim ligjor përmes së cilit më pas do të krijohej funksionimi i një rrjeti midis institucioneve kryesore të zbatimit të këtyre ligjeve. Znj.Gjordeni nuk lë pa përmendur edhe ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera lidhur me të. ZSHDA-ja në përputhje me detyrimet e Planit Kombëtar të Zbatimit të MSA-së, ka hartuar një projektligj të ri, i cili do të kalojë në Këshillin e Ministrave brenda qershorit të 2010-ës, bashkë me ndryshimet përkatëse. Ky ligj do të transpozojë plotësisht direktivat mbi transmetimet satelitore dhe ritransmetimet kabllore, direktivat e Parlamentit Europian mbi zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, mbi të drejtën e rishitjes për përfitimin e autorit të një vepre origjinale arti, mbi mbrojtjen ligjore të programeve kompjuterike, mbi menaxhimin kolektiv në kufi të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të për shërbimet legjitime të muzikës online, etj. Në vendin tonë, mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale jo rrallë herë ka hasur në pengesa të cilat vijnë prej shkaqeve të ndryshme, si mosfunksionimi i ligjit dhe në disa raste dhe nga mosnjohja e tij. Mosfunksionimi i këtyre të drejtave ka shkaktuar shpesh herë reagimin dhe revoltën e shumë artistëve, sidomos atyre që ankohen se puna e tyre dëmtohet për shkak të piraterisë së paligjshme dhe mungesës së zbatimit të ligjit, pasojat e së cilit bien kryekëput mbi pronësinë intelektuale. Hartimi i kësaj draft-strategjie vjen pikërisht në ndihmë të saj, për të eliminuar shkeljet dhe për të thënë se më në fund po bëhet diçka në këtë drejtim, gjithnjë duke shpresuar që asgjë të mos mbetet në kuadër fjalësh e fletësh të firmosura e të pluhurosura në kushedi çfarë sirtarësh.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›