E Shtunë, 31 Tetor 2026

Red Bull Thre3Style Kosovo – Rock the Party!

Red Bull Thre3Style është një konkurs botëror për DJ, ku vlerësohen aftësitë teknike, kreativiteti dhe atmosfera që këta pjesëmarrës krijojnë tek publiku.

Secili DJ në konkurrim luan muzikë për 15 minuta, duke realizuar një kombinim mes tre zhanreve të ndryshme muzikore. Kriteret e vlerësimit për secilën performancë bëhen në bazë të përzgjedhjes së këngëve, kreativitetit, aftësisë për të miksuar, paraqitjes në skenë si dhe reagimit të publikut.

Red Bull sjell për herë të parë në Kosovë këtë konkurs për DJ, duke organizuar Red Bull Thre3Style Kosovo, ku do të marrin pjesë 6 DJ: DJ Gamble, DJ Angel, DJ First, DJ Dagg X Base, DJ Miloti dhe DJ Liburn.

Konkursi do të zhvillohet sot në mbrëmje në Zone Club në Prishtinë, ku dhe do të kurorëzohet DJ fitues nga Kosova, i cili do të na përfaqësojë në Finalen Botërore të Red Bull Thre3Style në Nëntor të këtij viti, në Toronto, Kanada.

I ftuar special i këtij evenimenti muzikor si dhe pjesë e jurisë do të jetë DJ Woody, UK, i cili është një ndër DJ më të famshëm në botë për “scratch”.

Fituesit e konkurseve Red Bull Thre3Style që po zhvillohen në mbarë botën, nga Azerbaixhani në SHBA, nga Belgjika në Kili, nga Korea në Zvicër do të mblidhen të gjithë së bashku për të konkurruar në rang botëror në Finalen e Madhe të Red Bull Thre3Style, për të shpallur Kampionin e Botës për vitin 2013.

Ky konkurs për herë të parë është zhvilluar në Kanada pesë vjet më parë dhe nga një konkurs brenda shtetit, në vitin 2010 u shndërruar në një konkurs botëror për DJ, ku DJ i parë i kurorëzuar si Kampion Bote ishte francezi DJ Karve, për të vazhduar më pas me kanadezin DJ Hedspin si fitues në vitin 2011 dhe DJ nga SHBA, Four Color Zack, në 2012./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›