Reduktimi i mbetjeve jeshile, Mëhili sqaron vendimin

Zëdhënësja e kryeministrisë Erla Mëhilli ka sqaruar sot vendimin e kryeministrit "Për disa ndryshime në vendimin “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi, dhe përpunimi".
Në një konferencë për shyp, Mëhilli theksoi se sipas vendimit të qeverisëlista prej 56 artikujsh të importit të mbetjeve jeshile të riciklueshme përgjysmohet në 25 artikuj.
"Bashkimi Evropian ka një listë prej mbi 460 artikuj mbetjesh jeshile, qarkullimi i lirë i të cilave është i detyrueshëm për vendet anëtare dhe natyrisht Shqipëria, duke avancuar në procesin e saj të integrimit do të pranojë standardet dhe normat e kërkuara nga ky proces” tha Mëhilli.
Sipas saj, qeveria, pas konsultimesh të gjera me shoqërinë civile dhe me grupet e interesit dhe biznesin, konstatoi se ishte plotësisht e mundur që importi i mbetjeve jeshile të riciklueshme të reduktohej në 25 artikuj të tillë, të cilët përdoreshin gjerësisht nga industria e riciklimit në Shqipëri, industri në të cilat janë investuar nga sektori privat vendas e të huaj mbi 400 milionë euro, nga letra te metalurgjia dhe ku janë punësuar mbi 3000 punonjës në vend.
“Kjo industri në kapacitetet e saj të mëdha përpunuese ka jetike lëndën e parë, dhe sasitë e saj në vend janë të pamjaftueshme. Duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij është parësor për qeverinë shqiptare pasi për konceptin e saj, mjedisi është jeta, qeveria është e vendosur të ruajë një dialog konstant me shoqërinë civile. Qeveria fton edhe njëherë organizatat jo qeveritare të fushës së mjedisit dhe shoqërinë civile, të japin kontributin dhe ndihmesën e tyre të pandërprerë në mbrojtjen e tij, sikundër ju bën thirrje të shmangin rënien në anti-globalizëm, i diskretituar tashmë si varianti i sotëm i marksizëm – leninizmit” përfundoi zëdhënësja e kryeministrisë.