Reeker: Dialog për zgjidhjen e grevës së urisë
Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Euroazinë Philp Reeker, i bëri dje thirrje autoriteteve shqiptare që të hyjnë në dialog për të gjetur një kompromis për të zgjidhur me qetësi çështjen e grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë. Reeker, u bëri thirrje si autoriteteve, ashtu edhe grevistëve, të mos ndërmarrin hapa që do të çonin në dëmtime fizike të vetes së tyre ose të të tjerëve. Situata, tha zyrtari i lartë amerikan, duhet zgjidhur me dialog dhe me qetësi. Palët, shtoi ai, nuk duhet të ndërmarrin sulme personale dhe politike të cilat kanë treguar se përshkallëzojnë situatën dhe pengojnë mundësinë e dialogut. Reeker i bëri këto komente gjatë një konference shtypi në Uashington mbi Ballkanin perëndimor. Shqipëria, theksoi ai, mori një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian lidhur me çështjen e statusit të vendit kandidat, por ky është vetëm një hap drejt procesit të anëtarësimit në BE dhe vendi duhet të vazhdojë reformat.