Reeker: Dialogu do të sjellë stabilitet

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq dhe zëvendësndihmësi i sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filip Reeker, gjatë takimit të zhvilluar pak qaste më parë në Beograd, janë pajtuar se vazhdimi i dialogut në mes Beogradit dhe Prishtinës do të kontribuojë në stabilizimin e situatës në Ballkan dhe po ashtu i mundëson Serbisë të jetë më afër Bashkimit Evropian.
Diplomati amerikan ka theksuar se SHBA-të në të ardhmen presin një bashkëpunim me Serbinë edhe në fushën ekonomike.
"Tani janë mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që sa më shpejt Serbia të kapërcej vështirësitë ekonomike që po përjeton. SHBA-të mbështesin rrugën evropiane të Serbisë, duke e konsideruar si një partner të rëndësishëm në rajon," ka thënë Reeker , thuhet në komunikatën e Qeverisë së Serbisë.
Reeker ka vlerësuar pozitivisht zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes Serbisë dhe SHBA-ve.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit ka qenë në Podgoricë të hënën dhe do të vizitoj Bosnjën e Hercegovinë më vonë. /kosovapress/