E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova s’mund të qëndrojë si shtet, duhet bërë me Shqipërinë

“Bashkimi kombëtar është i nevojshëm, ai është i pashmangshëm dhe është i drejtë”, kështu tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në një debat të organizuar me studentë të Universitetit të Prishtinës me temë “E ardhmja e bashkimit kombëtar”.

Kurti tha se duhet ta braktisim njëherë e përgjithmonë feudalizmin, sepse edhe sot po shihen elementet e feudalizmit në vendin tonë dhe sipas tij “kur e ndan Kosovën prej Shqipërisë, e përvetëson zanatin edhe vazhdon me nda edhe Kosovën”.

“Le ta përvetësojmë zanatin e bashkimit dhe të bashkohemi me Shqipërinë dhe mandej kur ta përvetësojmë zanatin e bashkimit edhe shkojmë në bashkimin evropian në mënyrë më të vërtetë dhe shumë më të qëndrueshme. Pra të ndarë nga Shqipëria nuk mund të jemi shtet në kuptimin sociohistorik”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se data e 28 Nëntorit nuk lidhet me personalitete e me ngjarje, por lidhet me simbolin e shqiponjës.

“Nëse e shikoni këtë flamur me vëmendje do ta vëreni që shqiponja dykrenore, ky shpend i zi që është në flamurin tonë ka dy krena dhe kësisoj mund ta ketë shikimin 360 shkallë. Një kokë e shqiponjës mund të shoh 180 shkallë dhe koka tjetër 180 shkallë tjera dhe kësisoj bashkë bëjnë 360 shkallë që do të thotë kjo shqiponjë reflekton siguri. Me këta dy krena të shqiponjës sonë ne mund të shohim sigurt gjithandej. Por, në të njëjtën kohë mund ta shihni që shqiponja jonë është duke klithur, nuk është shqiponjë e qetë, të gjithë e shihni që e ka gjuhën jashtë dhe e ka gojën e hapur, pra nuk është rehat kjo shqiponjë, nuk është një shqiponjë që ka kryer punë, prandaj është gabim ajo parullë Bac u kry”, ka thënë Kurti.

Ndërsa Hysamedin Ferraj, përmendi rrugët të cilat i kanë ndjekur shqiptarët gjatë këtyre 100 viteve. Ai tha se pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, mendimi politik u nda në dy grupe të mëdha.

“Kur po flas për dy rrugët e kam fjalën për ndarjen e madhe që ndodhi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 1912 dhe menjëherë mendimi politik u nda në dy grupe të mëdha. Një grupim i madh që mendonte se duhej menjëherë të fillohet rruga e forcimit të atij shteti që u la nga fuqitë e mëdha të mbledhura në Londër dhe që caktuan kufijtë që ndajnë edhe sot shqiptarët. Mendimi tjetër që përfaqëson pothuajse të gjithë, dhe mendimi tjetër disi i mbetur nga Hasan Prishtina se duhet filluar menjëherë lufta për të mos pranuar kufijtë dhe për të bashkuar territoret që u ndan”, ka thënë Ferraj.

Sipas tij, aftësia jonë për të krijuar një shtet e pastaj edhe një shtet tjetër pastaj edhe shumë shtete na zbulon paaftësinë tonë për të mos mundur të krijojmë një shtete, kështu që sipas ne ndodhemi mes idesë të krijojmë shumë shtete dhe paaftësisë për të krijuar një shtet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›