E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Referendum për tre ligjet e statusit, si përgjigje kundër bllokimit”

26-02-2013 / Gazeta 55

Kreu i mazhorancës, Sali Berisha konfirmoi se këto ditë do të dorëzohet në KQZ kërkesa për referendum, i cili pritet të mbahet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare

“Referendum për tre ligjet e integrimit si përgjigje ndaj murit të bllokimit të z. Rama”. Kështu u shpreh dje përmes rrjetit social Facebook, kryeministri Sali Berisha, i cili shkruan se miratimi i këtyre ligjeve do t’i jepte Shqipërisë marrjen e statusit të vendit kandidat, që prej muajsh është bllokuar nga lidershipi socialist.
Sipas tij, këto ditë do të dorëzohet në KQZ kërkesa për referendum me firmën e deputetëve të mazhorancës, ku thekson se edhe ai vetë do të jetë një prej tyre.
“Deputetët firmosin për referendumin për tre ligjet! Si mik i juaji në Facebook, unë do jem një nga firmëtarët”, shkruan Berisha.
Më tej ai citon se ky është një vendim historik, me të cilin qytetarët shqiptarë do të faktojnë mbështetjen e tyre plebishitare për integrimin e vendit në BE.
“Të dashur miq! Ju falënderoj me shumë mirënjohje për mbështetjen tuaj të fuqishme për miratimin me referendum të tre ligjeve që kërkohen për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë nga BE dhe që prej muajsh janë bllokuar nga z. Rama. Sot u vendos që këto ditë të dorëzohet në KQZ, me firmën e deputeteve tanë, kërkesa për thirrjen e referendumit për miratimin e tre ligjeve të bllokuara nga z. Rama. Ky është një vendim historik, me të cilin qytetarët shqiptarë do të faktojnë mbështetjen e tyre plebishitare për integrimin e vendit në BE. Ky vendim, është përgjigja më e merituar e sovranit ndaj murit të bllokimit të z. Rama dhe planeve të tij për të bojkotuar Parlamentin pas humbjes së zgjedhjeve të qershorit që vjen, qëndrim që ai mbajti pas zgjedhjeve të vitit 2009. Referendumi është përgjigja më e përshtatshme ndaj njeriut që di vetëm të bllokojë, vetëm të bojkotojë. Shqipëria europiane është misioni ynë. Ne do fitojmë!”, thotë kryeministri.
Më herët gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha theksoi se referendumi do zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Kryeministri ftoi kryetarin e Komisionit të Kushtetutës dhe Ligjeve, Ilir Rusmali që të formulojë tekstin që këto ligje të shkojnë për referendum. “Në mënyrë që gjatë muajit mars, Presidenti të ketë mundësi ta shqyrtojë dhe të japë verdiktin e tij për këtë akt madhor në historinë e vendit. Që do t’u faktojë se qytetarët e këtij vendi kanë vullnetin dhe dëshirën të ecin në rrugën e integrimit, të ndërtojnë Shqipërinë europiane”, u shpreh Berisha

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›