E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit fiton mbi krimin

26-02-2013 / Gazeta 55

Zbardhet në kohë rekord nga strukturat e Policisë së Shtetit, vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt. Vrasësit e dyshuar dolën jashtë Shqipërisë pak orë pas krimit, por u ndaluan në Selanik. Në shtëpitë e të arrestuarve në kryeqytet u gjet një arsenal armësh, përfshirë edhe pushkë-snajper si dhe gjysmë kilogrami heroinë e pastër


Vetëm 16 orë i janë dashur Policisë së Shtetit të zbardhë dhe identifikojë autorët e ngjarjes së rëndë që tronditi kryeqytetin mbrëmjen e së dielës, ku mbeti i vrarë ish shefi i komisariatit të Kombinatit, Dritan Lama. Breshëria e automatikut dhe 12 plumbat në trupin e tij, e bënë të pamundur t’i mbijetonte sulmit barbar në një nga zonat më të populluara të Tiranës, pranë “Shallvareve”. Detyrën e specialistit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Hapura në Policinë e Shtetit, Dritan Lama e kishte marrë pas lirimit nga detyra e Kryekomisarit të Kombinatit. Ngjarja tronditi mbarë opinionin publik, por kjo nuk e pengoi Policinë e Shtetit të vepronte në errësirën dhe shiun e asaj nate, me qëllim arrestimin e autorëve të krimit. Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shtetit ngriti një grup pune, duke angazhuar strukturat operacionale për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes së rëndë. Një nga pistat bazë hetimore të Policisë së Shtetit, ka qenë ajo e “vrasjes për shkak të detyrës”. Kjo nisur nga fakti se Kryekomisar Lamaj, gjatë kohës që drejtonte komisariatin e Kombinatit, ka pasur përplasje me disa sipërmarrës, biznese dhe qytetarë të thjeshtë. Në këtë drejtim, grupet operacionale të Policisë kanë ushtuar kontrolle të menjëhershme në banesat e disa të dyshuarve, ndër to edhe në banesën e Arben Frrokut si dhe kanë shoqëruar drejt komisariatit 30 të dyshuar. Gjatë ushtrimit të kontrolleve në banesën e Frrokut, familjarët kanë dhënë përgjigje kontradiktore, duke pohuar se 44 vjeçari nuk ndodhet në shtëpi. Menjëherë ka nisur puna për arrestimin e tij në cilësinë e të dyshuarit kryesor të vrasjes së kryekomisar Dritan Lama, ndërsa njëkohësisht hetimet vazhdonin në disa pista, duke sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së disa bizneseve pranë vendngjarjes. Pikërisht këto kanë shërbyer edhe si prova të forta në krijimin e identikitit të parë të autorëve të ngjarjes. Sot, dy ditë pas ngjarjes ka dy të arrestuar me akuzën e “vrasjes për shkak të detyrës” të Kryekomisarit, Dritan Lama dhe dënimi maksimal i tyre edhe pse s’mund të kompensojë humbjen e efektivit të policisë, është tregues i fitores së Policisë së Shtetit në luftën e përditshme kundër krimit të organizuar.


Arrestohen në Greqi dy autorët e vrasjes së ish-Kryekomisarit


Arrestohen në Selanik (Greqi), dy autorët e dyshuar për vrasjen e Kryekomisarit të Kombinatit, Dritan Lama. Personat e prangosur tashmë nga policia greke me kërkesë të autoriteteve shqiptare, janë Arben Preng Frroku, 44 vjeç, banues në Tiranë dhe Jak Mark Jaku, 31 vjeç, banues në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit informoi se identifikimi i autorëve të ngjarjes së rëndë që tronditi kryeqytetin, u bë i mundur nga grupi i posaçëm hetimor, në përbërje të të cilit janë ekspertë të strukturave kundër Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe Prokurorë të Krimeve të Rënda. Sipas Policisë, nga analizimi i ngjarjes dhe i provave të administruara nga grupi hetimor është arritur në konkluzionin se vrasja e Kryekomisar Dritan Lama, është kryer nga autorët e dyshuar për shkak të detyrës si punonjës policie. Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarje nga strukturat e policisë është ushtruar kontroll në banesat e autorëve të dyshuar, ku gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Jakë Jaku dhe Ndue Jaku është gjetur e sekuestruar një arsenal armësh, përkatësisht 1 armë zjarri, snajper, 2 armë zjarri automatike, tip kallashnikov, 1 armë zjarri pistoletë tip Bereta, 2 armë gjahu, një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme etj. Po ashtu, janë sekuestruar edhe rreth 529 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 396 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe rreth 35 gram lëndë narkotike e dyshuar marijuanë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›