E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reforma Territoriale, PD: Propozojmë ndarjen në 95 bashki dhe 5 rajone

Partia Demokratike ka propozuar sot një draft për reformën e re territoriale. Duke e konsideruar Reformën Territoriale të vitit 2014 si një “dështim”, Partia Demokratike propozon që harta e re territoriale e Shqipërisë duhet të ndahet në 95 bashki, pra 34 më shumë se aktualisht.

“50% e bashkive qendrore do të mbulojnë krahas funksioneve të shërbimeve publike e social kulturore edhe  shërbimin transportit dhe të zhvillimit të territorit për bashkitë rurale. 50 % e bashkive të tjera do të kenë funksione të kufizuara, kryesisht në kryerjen e shqërbimeve publike, bujqësore, aktivitete kulturore dhe asistencë sociale e nxitje të punësimit. Ato do ti delegojnë funksionet e menaxhimit urban tek njësitë qëndrore mbi një bazë kontratete bashkëpunimi”, thuhet në draft.

Po ashtu PD propozon ndarjen në 5 rajone, duke theksuar se i përmbahet konceptit europian.

“Lidhur me nivelin e dytë PD i përmbahet konceptit evropian të rajoneve. Ajo është e përgatitur për të ofruar dy opsionet e saj për nivelin e dytë të qeverisjes vendore: Formimin e një ndarje të re Rajonale me 5 Rajone; Tirana, kryeqytet metropolitan me një bashki qendrore dhe 14 bashki me kompetenca të kufizuara”, propozon PD.

Sipas Reformës Territoriale të vitit 2014, Shqipëria ndahet në 12 qarqe, të cilat janë njësi administrative të nivelit më të lartë, dhe 61 bashki.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›