E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, të vegjlit unifikojnë qëndrimet: PD dhe PS të bashkëpunojnë me ne

21-11-2011 / Gazeta 55

Milo: Jemi të shqetësuar për shpërfilljen e PS. Meta: Një sistem zgjedhor transparent garanton lirinë e votës


UPDATE- Partitë e vogla opozitare dhe të mazhorancës u mblodhën sot në një tryezë ku edhe dolën me një qëndrim të përbashkët për reformën e re zgjedhore. Krerët e dhjetë partive politike i kërkojnë dy partive të mëdha PD-PS që të marrin parasysh kërkesat e tyre në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore që pritet të nisë nga puna në fund të kësaj jave. Në fjalën e tij kreu i PDS-së Paskal Milo ka theksuar se kjo tryezë nuk ka ndonjë prapavijë tjetër përveçse shqetësimit për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. 


Ndërsa në fjalën e tij kreu i LSI-së Ilir Meta Meta se partia që ai përfaqëson është e hapur për një sistem zgjedhor transparent që garanton lirinë e votës. Sipas tij kjo duhet të jetë një reformë e cila duhet të ketë në themel barazinë e votës ndërsa shtoi se LSI-ja është kundër listave të mbyllura pasi dëmtojnë parlamentarizmin. “Nuk ka përse vota e një kryetari në një qark të ketë më shumë rëndësi se vota e një kryetari në qark tjetër të vendit”- u shpreh Meta. Ndërsa shtoi se më e rëndësishmja në këtë reformë është forcimi i besimit të qytetarit tek vota e tij.


Nga ana e tij, kreu i PR-së Fatmir Mediu theksoi se partitë e vogla përbëjnë 20% të elektoratit dhe të gjitha duhet të kenë mundësinë për të monitoruar procesin e zgjedhjeve.


Ndërsa kreu i PSD-së Skënder Gjinushi theksoi se ndryshimet në reformën zgjedhore do të bëjnë të mundur prishjen e polarizimit artificial që është krijuar. 


Të gjitha partitë politikë kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, në proporcional kombëtar, për të bërë të mundur numërimin e të gjitha votave si të vlefshme në të gjithë vendin. Gjithashtu ato kërkojnë të jenë pjesë e administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore për sa kohë që këto komisione do të jenë propozime të partive politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›