Reforma, jo dogma për Shëndetësinë
ALKETA HILA
Dhënia e statusit të lirë dhe punonjësit publik, mjekut të familjes, në varësi të zonës dhe konkurrencës reale, është thelbi i përmirësimit të cilësisë së shërbimit te popullata. Çdo reformë, që të jetë e suksesshme, duhet që të udhëhiqet nga ide, të cilat në thelb duhet të jenë të thjeshta dhe praktike. Reforma në Shëndetësi e Partisë Socialiste në lidhje me shërbimin shëndetësor parësor, ka në qendër të saj binomin mjek-pacient. Duke tentuar rindërtimin e marrëdhënies mjek familjeje-pacient, e cila është tronditur fort këto 20 vite, kjo reformë do të riorganizojë nga fillimi mënyrën e menaxhimit të pacientit.
Aktualisht përjetojmë një situatë në të cilën kryefjala e drejtuesve vendorë të strukturave shëndetësore është ulja sa më shumë e vlerës së medikamenteve të rimbursueshme, si dhe një logjikë krejt ekonomike në trajtimin e të sëmurit ku: mjekimi niset me barin më të lirë dhe jo sipas nevojës reale të pacientit për trajtim.
A thua ky nuk është problem?
Apo mos është problem i thjeshtë?
Jo, jo, ky është një problem i mprehtë që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me jetën e popullatës.
Kjo gjë ndodh sepse qeveria aktuale i sheh shtresat në nevojë (pensionistët, invalidët) si një barrë e bezdisur dhe penguese në rrugën e saj të grykësisë. Nuk duhet lënë pa përmendur fakti se në sistemin shëndetësor shqiptar çdo qytetar i pasiguruar duhet të paguajë një shumë prej 1000 lekësh vetëm për një vizitë të thjeshtë te mjeku i familjes, shumë kjo që po ti referohemi pagës minimale të lejuar në Shqipëri, është sa paga dyditore, apo 7% e rrogës mujore.
Pa përmendur këtu armatën e të papunëve që një Zot e di se çpërqindje të të ardhurave mund të zërë tarifa e vizitës mjekësore. E gjithë kjo situatë ka bërë që qytetarët shqiptarë të humbasin besimin te sistemi shëndetësor në përgjithësi dhe te mjeku i familjes në veçanti. Mjeku i familjes, që teorikisht duhet të ishte hallka më e rëndësishme e zinxhirit shëndetësor, është kthyer fatkeqësisht sot në një shkrues recetash të rimbursueshme, regjistrash dhe formularësh gjithfarësh. Është pak të thuash se qytetarët dhe mjekët, të cilët përballen përditë me këtë realitet, janë të lodhur dhe kërkojnë një ndryshim radikal. Ky ndryshim mund të vijë vetëm përmes një vullneti të fortë politik dhe një rikonceptimi të të gjithë strukturës, funksionit dhe detyrave të sistemit shëndetësor parësor, me pak fjalë, të një Rilindjeje të Re.
Të gjitha këto u thanë, u diskutuan në tryezën e shëndetësisë të pak ditëve më parë, të organizuar nga PS-ja, dhe jo vetëm u evidentuan një sërë problemesh, por u ofruan zgjidhje dhe alternativa.
Me mënyrën e re të financimit që planifikon të kryejë Partia Socialiste me ardhjen e saj në pushtet, do të gjendemi përballë një realiteti të ri në punën e përditshme të mjekut të familjes, çka paraqet nevojën e një riorganizimi të thellë në procedurat e punës së mjekut për tiu përshtatur kërkesave të kohës. Në situatën kur çdo qytetar do të jetë i siguruar dhe do të ketë akses të plotë te mjeku i familjes, do të përballemi, sigurisht, me një fluks të shtuar pacientësh që paraqiten pranë qendrave shëndetësore. Duke parashikuar këtë gjë, do të na duhet që të racionalizojmë kohën e punës së mjekut në favor të vizitës klinike dhe përkushtimit ndaj pacientit. Vetëm duke e lehtësuar mjekun nga ngarkesat në plotësimin e një morie dokumentesh burokratike, dhënien e mundësisë së trajtimit të pacientit me logjikë mjekësore dhe i pafrustuar si sot në formimin e tij profesional, do të mund ti japim atij dinjitetin e munguar prej vitesh dhe pozicionin e tij të nderuar në një shoqëri të denjë për prosperitet.
Kam theksuar dhe diku tjetër që dhënia e statusit të lirë dhe punonjësit publik, mjekut të familjes, në varësi të zonës dhe konkurrencës reale, duhet të na bëjë të kujtojmë shprehjen e famshme britanike për mjekun e familjes si gate keeper (rojtar).
Ngritjen dhe funksionimin e një sistemi prioritar trajnimesh për mjeket e familjes duke synuar sistemin e trajnimit në vazhdim për ata që aktualisht punojnë në këtë sektor etj. Me fjalë të tjera, do të fuqizojmë ndjeshëm kapacitetet e Fakultetit të Mjekësisë dhe shkollave të tjera universitare për të prodhuar mjekë familjeje dhe do të krijojmë një sistem edukimi në vazhdim për të trajnuar mjekët e përgjithshëm që janë në funksion. Kjo do të bëjë që në një kohë relativisht të shkurtër të gjithë mjekët e shërbimit tonë shëndetësor parësor të jenë të trajnuar për mjekë familjeje.
Si mund ti quajmë këto konstatime për zgjidhje, nga ekspertë të shëndetësisë në vend, vallë, dogma të komunizmit real!!!
Jo, thjesht dëshirë e mirësi, profesionalizëm bashkëkohor, për të bërë më të mirën në funksion të popullatës së një vendi.
*Anëtare e Komisionit të Shëndetësisë pranë PS-së