E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, Rama: Depolitizim i administratës dhe nxjerrje e shpejtë e rezultatit zgjedhor

TIRANË, 11 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste nënvizoi sot domosdoshmërinë e ngritjes pa humbur kohë të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, i cili duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it apo Komisonit të Venecias.

Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama tha se “ka ardhur koha të merren me përparësi të veçantë, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe nevoja e nxjerrjes së rezultatit në një kohë normale për një vend anëtar të BE”.

“Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, ne jemi specie unikale në Europë dhe unë nuk e di se kë tjetër kemi shok për ta bërë një muhabet në botën ku bëhen zgjedhje pluraliste”, u shpreh Rama.

Po ashtu, kryeministri u shpreh se “duhet adresuar pa humbur kohë harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.

“Kjo për të reflektuar qartësisht në atë ligj, standardet e vendosura nga vendimet e Kushtetueses të cilat kanë mirëpërcaktuar kufijtë e kompetencave, rolet e pakicës dhe shumicës parlamentare si edhe balancën e domosdoshme dhe gjithmonë inekzistente në eksperiencën e komisioneve parlamentare, mes së drejtës së shumicës për të qeverisur dhe të drejtës së pakicës për të kontrolluar qeverinë”, u shpreh ai.

Rama theksoi se kështu do t’i sigurohej Kuvendit, por edhe publikut, një kornizë e qartë veprimtarie, por edhe pritshmërie nga komisionet hetimore dhe me gjasë do të rritej sadopak, cilësia dhe përgjegjshmëria institucionale në hetimet parlamentare.

“Do të shmangeshin të paktën në frymën dhe në gërmën e ligjit, të gjitha sebepet për konfliktet e neveritshme politike, për natyrën e hetimit parlamentar dhe instrumentalizimin demagogjik të komisioneve hetimore, të cilat e kanë deformuar rregullisht misionin, funksionin dhe qëllimin që Kushtetua ka përcaktuar për to”, shtoi ai. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›