E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore hiqet nga kalendari i Kuvendit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 14-10-2011 11:42

Projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash janë përfshirë sërish në kalendarin dhe programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 17 tetor-25 nëntor. Por kjo jo me konsensus, pasi opozita nuk ka pranuar që këto nisma ligjore të përfshihen në kalendar dhe në programin e punës së këtij institucioni, pa u krijuar më parë një klimë e favorshme dialogu për të diskutuar pikat kryesore që përmban pakti dhjetëpikësh i bërë prezent nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Ndaj kjo çështje ka vënë përballë dje gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës, ku këta të fundit ndërsa kanë kundërshtuar fort përfshirjen e këtyre nismave në programin dhe kalendarin e punës, e kanë konsideruar këtë përpjekje të shumicës si një provokim i vazhdueshëm që u bëhet socialistëve. Por ajo që bie në sy në programin e djeshëm të Kuvendit për periudhën 17 tetor-25 nëntor, është heqja e pikës që ka të bëjë me ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me një harresë apo është një heqje dorë nga reforma për sa kohë palët nuk kanë rënë dakord deri më tani mbi parimet e kësaj reforme. Heqja nga programi i ngritjes së komisionit për reformën zgjedhore vjen pikërisht kur ajo ishte e vetmja pikë ku mund të fillonte dialogu mes pozitës dhe opozitës, pasi pas ofrimit të paktit të Ramës, ishte Berisha ai që e pranoi pa kushte ndryshe nga pikat e tjera.

Mbledhja

Për shkak të një angazhimi disaditor jashtë vendit të Topallit, mbledhja e detyruar e Konferencës së Kryetarëve është mbledhur vetëm dje, një orë para se të niste seanca plenare për të miratuar programin e punës për periudhën 17 tetor - 25 nëntor dhe kalendarin trejavor të punimeve. Progres-raporti i Bashkimit Europian për vendin tonë ka zënë pjesën kryesore të diskutimeve, pasi palët nuk u janë shmangur dot interpretimeve të ndryshme dhe përgjegjësive që mbajnë për vlerësimet negative. E para që ka folur ka qenë kryeparlamentarja, e cila duke iu referuar pikërisht konstatimeve që bën raporti për sa i përket kriterit politik, ka theksuar se tashmë del e qartë detyra e opozitës për të mos bllokuar më votimin e atyre nismave ligjore që përbëjnë bazën e një sërë reformash të domosdoshme. Sipas burimeve mësohet se ka qenë kryetarja e komisionit të Integrimit, Ermelinda Meksi, ajo që u ka sjellë në vëmendje përfaqësuesve të mazhorancës se përgjegjësia duhet të kërkohet tek mazhoranca dhe tek vetë Kuvendi, i cili edhe ligjet e tjera të thjeshta i sjell jashtë standardeve dhe mbi të gjitha të pakonsultuara. Ndërkohë që Topalli në këtë drejtim ka siguruar se do të ndiqet çdo procedurë që nismat ligjore të jenë në përputhje me standardet dhe normat e BE-së, por në të njëjtën kohë ka kërkuar që PS-ja të votojë ligjet me 3/5-at.

Refuzimi

Lidhur me këtë çështje mësohet se ka ndërhyrë kreu i grupit Ruçi, i cili i ka kërkuar kryeparlamentares Topalli që të mos provokojë opozitën për ligjet me 3/5-at. Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se Ruçi i ka kujtuar se nuk ka asnjë arsye që këto nisma të përfshihen në kalendar dhe program, për sa kohë mazhoranca nuk ka dhënë asnjë shenjë se kërkesat e opozitës të paraqitura nëpërmjet një pakti të gjerë do të trajtohen. “Çfarë ka ndryshuar nga më parë, që të krijoni bindjen se këto ligje do të miratohen në këtë mënyrë? Ne jua kemi dhënë zgjedhjen tonë, që t’i trajtojmë ato nëpërmjet një procesi të gjerë diskutimi edhe me përfshirjen e ekspertëve. Ndaj ju lutem, mos provokoni sërish opozitën”, - mësohet se është shprehur Ruçi, ndërsa nuk ka pranuar që të japë konsensusin për dy dokumentet e paraqitura për miratim. Pavarësisht mosgjetjes së konsensusit në Konferencën e Kryetarëve, kalendari dhe programi duket se kanë kaluar me konsensus në sallën e seancave plenare, pasi nuk janë hedhur në votim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›