E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i Rregullores futet në Kuvend

Mungesa e një konsensusi paraprak në lidhje me dhjetë pikat që ofron pakti i propozuar nga kryesocialisti Edi Rama, nuk ka penguar Kuvendin e Shqipërisë që të nisë procedurën e shqyrtimit të propozimit të një grupi deputetësh socialistë për ndryshimin e Rregullores së këtij institucioni. Në kalendarin dhe programin e ri të punës së këtij institucioni gjenden edhe propozimet e socialistëve për disa ndryshime në rregullore. Kështu është përcaktuar që në rast se Këshilli i përhershëm për Rregulloren dhe Mandatet do të bëjë shqyrtimin në kohë të këtyre propozimeve, atëherë ato do të kalojnë për votim brenda trejavëshit të ardhshëm. Megjithatë, përfshirja e këtyre propozimeve në kalendar dhe rregullore nuk do të thotë se mazhoranca ka dhënë pëlqimin e saj për to, pasi siç edhe është bërë e ditur në debatet publike, të djathtët janë dakord të miratojnë çdo propozim që do të ishte në përputhje me rregulloren e Parlamentit Europian. Ndërkohë që socialistët në materialin e paraqitur për miratim propozojnë ndërmjet të tjerave rikthimin e votës së fshehtë për kandidaturat e sjella nga presidenti për në institucionet e larta kushtetuese, heqjen e seancave dëgjimore për ta, rikthimin e diskutimeve të lira në fillim të seancës plenare, si dhe zbutjen e masave ndëshkuese për shkeljen e rregullave parlamentar. Gjithashtu, në kalendar është përfshirë dhe nisma tjetër e socialistëve për disa ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›