Reformat e integrimit, trojka e ambasadorëve: PS të japë konsensus për heqjen e imunitetit
Trojka e ambasadorëve i ka kërkuar kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, në mënyrë të drejtpërdrejtë, që opozita jo vetëm të bëhet pjesë e diskutimeve parlamentare për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, por t’i votojë ato në seancën plenare të 6 gushtit. Në takimin me tre ambasadorëve në zyrën e kryesocilaistit Rama, është nënvizuar fakti se klasa politike ka të gjithë kohën e nevojshme për të shqyrtuar draftet ligjore të paraqitura.
Ambasadorët janë shprehur se konsensusi politik i shfaqur në përmbylljen e reformës zgjedhore, duhet të vijojë edhe me reformat e tjera legjislative, siç janë edhe ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Sipas tyre, këto reforma do ta afronin më shumë Shqipërinë në udhën e saj të integrimit europian.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Ëollfarth u shpreh gjatë prononcimit të tij për shtyp se gjatë takimit me Ramën ishte folur për disa aspekte, ku në fokus ishte pikërisht heqja e imunitetit. “Ne sot kemi folur për heqjen e imunitetit dhe mënyrës se si duhet të procedohet më tej. Çështja e heqjes së imunitetit vjen fill pas çështjes së rëndësishme të reformës zgjedhore që shpresojmë të përfundojë këtë javë. Heqja e imunitetit kur ka të bëjë me zyra të rëndësishme si deputetët dhe gjyqtarët dhe prokurorët që i jep më shumë vlerë sistemit të garancive dhe sigurive të një vendi dhe janë çështje që duhen të trajtohen me kujdes. Të qënurit i nënshtruar ndaj Kushtetutës dhe ligjit është shumë e rëndësishme. Dënueshmëria për çështje që bien në kundërshtim me Kushtetutën duhet të ekzistojë. Çështja e imunitetit është me rëndësi për funksionimin e shtetit në vetvete dhe për këtë do të ketë diskutime të gjithanshme. Shfytëzmi sa më i mirë i kohës është loja që duhet të zhvillohet”- tha ai.
Ndërkohë sipas ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi heqja e imunitetit klasifikohet si një çështjet vendimtare për progresin e vendit drejt aleancës evropiane. “Heqja e imunitetit është me rëndësi vendimtare për procesin e saj për integrimin në BE. Në fakt po kaq e rëndësishme janë edhe reforma të tjera siç është edhe reforma parlamentare që është pjesë e një marrëveshje të arritur vitin e kaluar. Ne shpresojmë që me reformën parlamentare do të bëhet po aq progres sa edhe me heqjen e imunitetit. Marrëveshja për reformën zgjedhore ishte një hapi i mirë përpara dhe shpresojmë të të ecet përpara edhe me dy çështjet e tjera. Ne shpresojmë që do të arrihrt progres. Ne nuk po i kërkojmë politikanëve ta pëlqejnë njëri-tjetrin por ne po u kërkojmë atyre të punojnë me njëri-tjetrin”- vuri në dukje Ettore Sequi.
Gjithashtu dhe në deklaratën e ambasadorit Arvizu nuk mungoi apeli për miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit. Sipas tij, deri në 6 gusht palët kanë kohën e mjaftueshme për të arritur konsensusin. Njëkohësisht, në gjykimin e ambasadorit amerikan konsensusi është i domosdoshëm për miratimin e paketës së gjithanshme të reformave. “Vota është me datë 6, me kohën shqiptare është një kohë e përjetshme, ka kohë mjaftueshëm për diskutime. Ashtu siç ndodh me çdo pjesë legjislacioni, nuk duhet të lëmë të përsosurën të jetë armike e së mirës”, shtoi Arvizu, i cili shprehu besimin se palët do të bëjnë një punë e mire për këtë çështje.