Reformë 70% në diplomaci. Zeneli: Njerëz nga rruga janë futur në punë
Në diplomacinë shqiptare do të ketë furtunë. Një nga degët më të përfolura të shtetit do ristrukturohet në nivelin 70 përqind, shkruan e përditshmja Shqiptarja.com.
Një nga diplomatët më të vjetër dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Politik në PS, Bashkim Zeneli, thotë se njerëz nga rruga janë futur në diplomaci.
Ligji nuk është zbatuar deri më sot. Përkundrazi është shkelur në mjaft raste, jo vetëm për titullarët e përfaqësive diplomatike por edhe për diplomatë që nuk i ka lidhur asgjë me përfaqësimin e Shqipërisë në vende të ndryshme. Do të kishte qenë i justifikuar kalimi i 20 përqindëshit, në rastet kur vërtetë vendi duhej të përfaqësohej nga personalitete me autoritet, me kulturë dhe të përgjegjshëm në misionin e tyre. Por kur të tillë janë marrë nga rruga, kjo jo vetëm është shkelje e ligjit, por dhe përgjegjësi e të gjitha atyre hallkave që firmosin, thotë Zeneli.
Por ai mendon se ligji mund të përmirësohet, në mënyrë që në vende të caktuara dhe për interesa të caktuara, ligji të lerë hapësirë më të madhe, duke dërguar në përfaqësi diplomatike të këtij kalibri personalitete të forta politike.
Megjithatë unë mendoj se kur kandidaturat janë të goditura me personalitete të jetës politike e shoqërore, ligji për shërbimi diplomatik, përpos përmirësimeve të tjera ka nevojë ti lërë një hapësirë më të madhe përfaqësimit politik në përfaqësitë tona diplomatike. Në momente të caktuara, për interesa të caktuara dhe në vende të caktuara ku interesat tona janë parësore, dërgimi i titullarëve nga radhët e politikës është më shumë se një mesazh i qartë për nevojën e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe të partneritetit serioz, deklaron Zeneli./ep