E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformë apo hakmarrje?

Vendimi i Kryesisë së LDK’së për rizgjedhje në Degën e Gjakovës shihet me dyshim. Një zyrtar i lartë i kësaj dege vlerëson se kjo është hakmarrje ndaj atyre që kanë mbështetur Fatmir Sejdiun. Ndërkaq, nënkryetarja Teuta Sahatçija thotë se përsëritja e zgjedhjeve është pjesë e reformave për ngritje të performancës dhe hapje të partisë për kuadro të reja Nga Valmir Klaiqi më 25 mars 2011 në ora 08:47

Kërkesa e Kryesisë qendrore të LDK’së që në Degën e Gjakovës të përsëriten zgjedhjet në të gjitha nivelet është parë me dyshim nga zyrtarë të lartë lokalë.

Kryesia e LDK’së në këtë komunë është njoftuar nga mediat për vendimin e partisë që përveç në Pejë, Obiliq dhe Shtime, kërkon zgjedhje të reja edhe në Gjakovë.

Një zyrtar i lartë i LDK’së në Gjakovë ka thënë të enjten për Express se nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare dhe as argumente nga kryesia qendrore e partisë se përse duhet të ketë zgjedhje në degë.

“Ne nëpërmjet shtypit jemi informuar se çka po ndodh. Neve nuk na është thënë asgjë dhe askush nuk na ka konsultuar. Vendim në degë nuk kemi. Ne mendojmë se nuk është çështja e Gjakovës njëjtë si në Obiliq e në Shtime, ku nuk janë mbajt kuvendet më herët”, ka thënë ky zyrtar i lartë i LDK’së në Gjakovë, që kërkoi të mos citohet me emër.

Kryesia e LDK’së në këtë degë do të paraqesë qëndrimet e veta zyrtare për vendimin e kryesisë qendrore të partisë vetëm atëherë kur të mësojë arsyet për këtë vendim, megjithëse zyrtarët lokalë nuk e shohin të arsyeshme t’i hyjnë një procesi të ri zgjedhor.

“Ne funksionojmë absolutisht mirë, si gjitha degët tjera në Kosovë. Në zgjedhjet e fundit kemi shënuar rritje. Zgjedhjet partiake i kemi mbajtur dhe ato kanë qenë të rregullta. Nga Kuvendi në Gjakovë kemi çuar 14 delegatë në Prishtinë. Nga dega jonë nënkryetarja aktuale Teuta Sahatçija ka shkuar pastaj në Prishtinë dhe është pozicionuar. Kështu që mendojmë se gjithçka është në rregull”, ka thënë zyrtari i LDK’së nga Gjakova.

“Shumica e anëtarëve të Kryesisë dhe të Këshillit mendojnë se kjo që po bën qendra është thjesht spastrim i njerëzve që e kanë mbështet më herët punën e ish kryetarit të LDK’së, Fatmir Sejdiu. Nëse kryesia qendrore nuk na bind me argumente, pse me u përsërit zgjedhjet te ne, atëherë të gjitha rrugët të çojnë te hakmarrja e njerëzve të Sejdiut”, ka shtuar ai.

Por, përfaqësuesit e Kryesisë së LDK’së në Prishtinë e shohin këtë proces të përsëritjes së zgjedhjeve nëpër degë si diçka normale dhe pjesë e reformës, të cilën e kishte paralajmëruar kryetari Isa Mustafa.

Teuta Sahatçija, nënkryetare e LDK’së, ka treguar të enjten për Express qëllimin e Kryesisë Qendrore për përsëritjen e zgjedhjeve në disa komuna.

Sipas saj, edhe përkundër rritjes së votave të disa degëve, ato kanë nevojë për ristrukturim, për hapje ndaj të tjerëve dhe për rritje të performancës.

“Vendimi i kryesisë është që të përmirësohet performaca e partisë, që ta bëjmë sa më gjithëpërfshirëse, që të rrisim aktivitetin dhe përfshirjen e anëtarëve të rinj në këto degë. Nuk do të kufizohemi vetëm në këto degë, kjo është pjesë e reformës. Kjo është vetëm faza e parë. Do të vazhdohen pastaj edhe reforma tjera në degë. Arsyeja e reformës është përfshirja e njerëzve të rinj dhe ngritja e performancës së partisë”, tha Sahatçija.

Por, përsëritja e zgjedhjeve në disa degë, sipas Sahatçisë, nuk do të rezultojë me mbajtjen e një Kuvendi të ri të Përgjithshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas saj, rizgjedhje nuk do të ketë në të gjitha degët, por vetëm në ato degë për të cilat Kryesia Qendrore mendon se ka nevojë për ristrukturim.

“Sipas Statutit të LDK’së, kryesia mund të merr në çdo kohë veprime për ristrukturimin e degës dhe mbajtjen e kuvendeve. Në disa degë zgjedhjet do të mbahen nga aktivet, në disa vetëm prej nëndegëve apo në disa vetëm kuvendet. Kjo nuk nënkupton nevojën e mbajtjes së një Kuvendi Qendror. Kjo është vetëm në kuadër të reformimit të partisë”, tha ajo.

Dega e LDK’së në Gjakovë del të jetë një rast më specifik në gjithë këtë proces, pasi edhe pse ka shënuar rritje në zgjedhjet e fundit parlamentare, Kryesia Qendrore mendon se ka nevojë për ristrukturimin e saj.

“Po, është fati i mirë që Dega e Gjakovës ka rritje, por mendojmë që LDK në Gjakovë meriton më shumë. Synimi jonë është që LDK në Gjakovë të jetë përsëri partia numër një. Dhe, pikërisht kjo reformë është në kuadër të atyre veprimeve që ta kthejmë LDK’në si partia numër një”, tha ajo.

Sipas Sahatçisë, fillimi i reformave vjen edhe pas kërkesës së vazhdueshme të anëtarësisë drejtuar kryetarit Isa Mustafa.

“Zgjedhja e kryetarit Mustafa në krye të partisë ka qenë një kërkesë që të niset me një reformë, në ngritjen e punës dhe hapjen e partisë për kuadro të reja”.

Zgjedhjet e reja në katër degë të LDK’së do të fillojnë më 5 prill, e do të përmbyllen më 31 maj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›