E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vetakuzohen” ushtarët

Ish-ushtarët e Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” të UÇK’së, komandant i së cilës ishte Fatmir Limaj, kanë dalë në mbështetje të bashkëluftëtarëve të tyre të arrestuar nga policia e EULEX-it. Me deklarata, ata morën përgjegjësi për të gjitha veprimet me të cilat ata ngarkohen, e që EULEX-i i akuzon për krime lufte ndaj popullatës civile. Nga Nexhmije Ahmeti më 25 mars 2011 në ora 08:34

Me flamuj kombëtarë dhe nga një deklaratë në duar, rreth 200 ushtarë të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të enjten në mesditë ia mësynë Prokurorisë Speciale të Kosovës. Qëllimi i tyre ishte dorëzimi i deklaratës, me të cilën ata mbështesin ish-luftëtarët e kësaj brigade të arrestuar javën e kaluar nga policia e EULEX-it.

Të prirë nga Haxhi Shala, që një kohë ishte edhe komandant i kësaj brigade, ish-pjesëtarët e UÇK-së janë ndalur rreth një orë nga policia e cila nuk i ka lejuar t’i afrohen ndërtesës së Prokurorisë Speciale. Por, pas këmbënguljes së tyre se do të qëndrojnë aty derisa t’u lejohet të dorëzojnë deklaratat, policia i ka lejuar që dy nga dy ta bëjnë këtë. Haxhi Shala së bashku me Skënder Hotin janë lejuar të hyjnë në Prokurori për të biseduar me administratën e Prokurorisë, nga e cila janë pajtuar që deklaratat të dorëzohen.

“E shfrytëzuam të drejtën tonë kushtetuese dhe ligjore për të dhënë një deklaratë lidhur me arrestimet e fundit që kanë ndodhur. Është e drejtë ligjore dhe kushtetuese që çdo shtetas i Kosovës të deklarojë lidhur me një rast”, tha Shala. Ai pret që Prokuroria Speciale t’i marrë në shqyrtim këto deklarata dhe shumë shpejt t’i ftojë secilin të dëshmojë. Njëri nga ta, Haqif Drenica nga Shala e Lipjanit tha se është në gjendje që me shkrim dhe me gojë të dëshmojë për pastërtinë e luftës së UÇK-së. “Kam ardhur që ta tregoj realitetin me këtë deklaratë, sepse pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare kurrë s’kanë qenë kriminelë, por kanë bërë luftë të pastër. Kriminelë ishin pikërisht çetnikët që bënë masakra në popullin shqiptar. I sugjeroj EULEX-it që këta t’i ndjekë e t’i gjejë sepse ende po sillen nëpër Kosovë dhe këtu janë prezentë, e jo pjesëtarët e UÇK-së”, tha Haqifi për Express.

Në deklaratën në të cilën jepen të dhënat e ushtarit, koha prej kur ushtari ka vepruar dhe Brigada 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, në të cilën këta ushtarë kanë shërbyer gjatë periudhës 1998-1999, theksohet se në fushëveprimtarinë e kësaj brigade nuk ka ndodhur asnjë krim lufte, siç ngre dyshime EULEX-i për nëntë ish-pjesëtarët e kësaj brigade; Nexhmi Krasniqi, Naser Shala, Refki Mazreku, Naser Krasniqi, Besim Shurdha, Behlul Limaj, Sabit Shala, Arben Krasniqi dhe Ukë Gegaj të arrestuar ditë më parë.

“Unë si pjesëtar i Brigadës 121 të UÇK-së, duke parë se qëllimi i EULEX-it është që me çdo kusht të ngritë dyshime duke montuar raste mbi dëshmi shpifëse dhe të rrejshme, me të vetmin qëllim të kriminalizojë luftën tonë çlirimtare dhe ushtarët e Brigadës 121, me vetëdije të plotë deklaroj se unë marr përgjegjësitë për të gjitha veprimet për të cilat padrejtësisht ngarkohen bashkëluftëtarët tanë të arrestuar”, thuhet në deklaratën e dorëzuar në Prokurorinë Speciale. EULEX-i ka lëshuar fletarrest edhe për deputetin Fatmir Limaj, si ish-komandant i Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”, mirëpo ky fletarrest nuk është ekzekutuar për shkak të imunitetit që gëzon Limaj si deputet i Kuvendit të Kosovës. Dorëzimi i deklaratave do të vazhdojë edhe ditëve të ardhshme, derisa t’i dorëzojnë të gjithë ish-ushtarët e Brigadës 121, që thuhet se janë 1 mijë e 500.

EULEX konfirmon pranimin e 150 deklaratave
EULEX-i ka konfirmuar se ka marrë rreth 150 deklarata të shkruara në Prokurorinë Speciale të Kosovës nga ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbrojtje të ish-bashkëluftëtarëve që akuzohen nga ky mision për krime lufte në Kleçkë.
“EULEX-i mbështet të drejtën e çdokujt për të shprehur pikëpamjet e tyre, përderisa këto pikëpamje shprehen në mënyrë paqësore dhe të ligjshme. EULEX-i javën e kaluar ka arrestuar disa individë, por këto arrestime kanë të bëjnë me individë e nuk janë të drejtuara kundër asnjë organizate”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›