Reformë e thellë në sektorin e energjisë, projektligji i ri vendos konsumatorin në qendër dhe synon integrimin evropian

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka hapur zyrtarisht fazën e konsultimit publik për projektligjin e ri “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili synon të transformojë rrënjësisht tregun vendas dhe t’u japë më shumë fuqi konsumatorëve.
Duke nisur nga data 22 prill 2026, qytetarët dhe grupet e interesit kanë në dispozicion 20 ditë pune për të dërguar sugjerimet e tyre. Dokumenti është i aksesueshëm në portalin qeveritar të Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike (RENJKP), si dhe në faqen zyrtare të MIE-s.
Ky proces vjen pas një faze dymujore konsultimesh paraprake, ku MIE ka zhvilluar dy tryeza të rrumbullakëta (më 19 mars dhe 8 prill) me aktorët kryesorë të industrisë, duke përfshirë rreth 20 prodhues të mëdhenj dhe shoqata të sektorit, si Devoll Hydropower, Voltalia, FIAA etj.
Përmes këtij njoftimi, qeveria fton publikun e gjerë të bëhet pjesë e diskutimit për këtë reformë kyçe, përpara se drafti t’i kalojë Këshillit të Ministrave për miratim. Të interesuarit mund të nisin komentet e tyre edhe drejtpërdrejt te koordinatori i ministrisë për këtë proces.
Transformimi i tregut
Projektligji i ri, i cili jo vetëm përditëson kuadrin rregullator ekzistues, por përmbys tërësisht modelin tradicional të tregut. Qëllimi është i qartë: kalimi nga një treg i centralizuar dhe i orientuar nga shteti, në një treg të hapur, konkurrues dhe plotësisht të integruar me Bashkimin Evropian.
Projektligji i ri, i mbështetur në Paketën e Energjisë së Pastër të Bashkimit Evropian (EU CEP), vendos theksin te dekarbonizimi i ekonomisë, efiçenca e energjisë dhe, mbi të gjitha, te fuqizimi i qytetarit, shkruan rtsh.al.
Një nga risitë më të mëdha të këtij drafti është ridimensionimi i rolit të konsumatorit. Për herë të parë, qytetarët dhe bizneset nuk do të jenë më thjesht faturë-pagues të energjisë së konsumuar, por aktorë dinamikë të tregut.
Relacioni i projektligjit thekson rëndësinë e këtij tranzicioni:
“Konsumatori nuk është më vetëm përfitues i shërbimit, por një aktor aktiv që mund të prodhojë energji, ta konsumojë dhe ta tregtojë atë. Përmes konceptit të klientit aktiv dhe komuniteteve energjetike, krijohen mundësi reale për demokratizimin e tregut.”
Këto ndryshime u japin mundësi “klientëve aktivë” (me kapacitet gjenerues deri në 500 kW) të shesin energjinë e tepërt pa u përballur me burokraci dhe tarifa diskriminuese. Gjithashtu, futet koncepti i “kontratave me çmime dinamike”, ku çmimi i faturës do të reflektojë luhatjet e tregut në kohë reale, duke i lejuar konsumatorët të kursejnë duke përshtatur oraret e konsumit të tyre.
Terma dhe koncepte të reja në treg
Për t’iu përgjigjur këtij realiteti të ri teknologjik dhe tregtar, legjislacioni i ri pasuron fjalorin dhe strukturën e tregut me entitete dhe koncepte të reja, të domosdoshme për një sistem modern:
Subjekte që bashkojnë ngarkesat e disa klientëve (për konsum ose prodhim) për t’i shitur ose blerë në tregjet e mëdha.
Depozitimi i energjisë, një element thelbësor për të balancuar rrjetin në një kohë kur rritet përdorimi i burimeve të rinovueshme (si dielli dhe era), të cilat janë të ndryshueshme nga moti.
Komunitetet qytetare të energjisë, grupime vullnetare të qytetarëve ose bizneseve të vogla që bashkohen për të prodhuar, ndarë dhe shitur energji në nivel lokal, duke i dhënë përparësi përfitimit social dhe mjedisor mbi atë thjesht financiar.
Sistemet e matjes inteligjente, ku të gjithë klientët do të pajisen me matësa konvencionalë modernë ose inteligjentë për të monitoruar në kohë reale të dhënat e tyre (me synim modernizimin e plotë deri në vitin 2031).
Mundësia për të ndërruar furnizuesin
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) merr një rol të zgjeruar dhe thelbësor si “arbitër” i këtij tregu të lirë. ERE do të ketë tagrin të mbikëqyrë transparencën e tregut, të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe të sigurojë që tarifat të jenë reflektuese të kostos reale.
Për qytetarët, një e drejtë e rëndësishme që forcohet është liria për të ndërruar furnizuesin e energjisë. Sipas projektligjit, çdo klient ka të drejtë të ndërrojë kompaninë që i shet energji brenda një afati maksimal prej tre javësh, dhe synohet që në vitet në vijim (për klientët e vegjël pas vitit 2031) ky proces teknik të zgjasë jo më shumë se 24 orë.
Siguria kombëtare dhe integrimi rajonal
Kalimi i tregut në duart e konkurrencës nuk zhvesh shtetin nga përgjegjësitë e sigurisë. Projektligji saktëson masat për planifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga krizat energjetike. Ai gjithashtu shtron rrugën për krijimin e tregjeve të organizuara (tregu i ditës në avancë, tregu brenda ditës, tregu i balancimit), duke përcaktuar rregulla të qarta për alokimin e kapaciteteve ndërkufitare të interkoneksionit.
Kjo do t’i mundësojë Shqipërisë jo vetëm të ketë një stabilitet më të madh të brendshëm përmes mekanizmave të tillë si ridispeçerimi dhe sigurimi i kapaciteteve rezervë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), por edhe ta kthejë vendin në një nyje plotësisht të integruar të tregut rajonal të Ballkanit dhe atij të Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/