E Diel, 1 Nëntor 2026

Refreni i “historianëve”-papagaj të së shkuarës: Dum babën! Amin.

26-11-2012 / Nga Kostaq Xoxa

1. Në titull përmendet Haxhi Qamili. Ky përfaqësohet në mënyrë të përsosur me thënien e tij „Dum Babën!“. Patrioti shqiptar Thanas Floqi, në shërbim të shtetit, e ka portretizuar H. Qamilin, „me një kallpak oficerësh të Turqisë  e me brekushe në vend të pantallonave. Blendi Fevziu, në librin e tij “Një ekskursion në politikën e Shtetit shqiptar nga 1912-2012” është i një mendjeje me Th. Floqin se fshatari nga Sharra “është personazhi më komik dhe më grotesk i këtyre 100 viteve të Shtetit shqiptar“. Por E. Hoxhës i shkrepi në tru që ta quante një “personazh historik,, në staturën e një heroi të historisë shqiptare (f. 59). Mirëpo cili nga „historianët“ tanë, që e idealizojnë edhe sot babën e tyre E.H.-n, - ndonëse sot janë aq në gjendje  sa të mos jenë në një mendje me idhullin e tyre, - e kanë kundërshtuar këtë thënie të diktatorit? Sigurisht nuk kishin si të ngulmojnë në të kundërtën. E dinë çdo t’i priste!.Veçse dëshirojnë ta lënë ndër temat tabù, duke dëshmuar se tërhiqen zvarrë edhe sot  nga hija e Enverit, e cila i ka përthithur që ta vazhdojnë propagandën enveriste edhe në ditët tona. E kanë përvetësuar, nga ana tjetër, majmunërisht atë mllefin patologjik të shefit të tyre shpirtëror kundër Ahmet Zogut I, gjer në një xhelozí të skajshme: „Nëse do t’i bëhet një statujë monarkut shqiptar, përse mos  t’i bëhet edhe Enver Hoxhës(!)“. Në cilin vend në botë, me përjashtim të Koresë Veriore, të Kubës së Fidelit, apo të ndonjë vendi tjetër, u bëjnë lavde vendeve totalitariste, komuniste apo nazifashiste? I gënjen mendja se këto të dytat ndryshojnë (në kuptimin pozitiv) nga ato të parat? Pavarësisht se komunistët kanë lënë në gjurmët e hidhura të historiografisë botërore katër herë më shumë viktima se nazifashistët? (100 mln, përkundrejt 25 mln!). Dëshmi anakronike janë lënë në përurimet e përvitshme të Pezës me ekzaltimet e diktatorit, me sloganet false, pa dallime ideore(!), me apoteozën e E.H.-s, me fotot e panumërta të tij, sikur diktatori të ishte një pluralist i ndritshëm (!),  për të fshehur krimet e tij ndaj të drejtave njerëzore më të thjeshta, ndaj një populli që duhet të hajë  edhe bar, për të ruajtur “parimet” e...autarkisë, të vetizolimit të mjerimit. 
Me rastin e përurimit të këtij 100-vjetori të lavdishëm, një skulptor i talentuar ka bërë një mozaik të rëndë me përmasa në kod, ku 1912-a përfaqëson gjatësinë, me gurë të kuq e të zinj, të gjetur me vështirësi, që të jenë të qëndrueshëm ndaj kohës. Këtë drejtkëndësh që mezi ngrihet, e pamë të emisioni i Çanit, ditën e premte. Kur drejtuesi i emisionit e pyeti se përse nuk e çoi në Vlorë, por do t’ia dorëzonte kryetarit të bashkisë, z. Lulzim Bashës, skulptori iu përgjigj: - Sipas traditës sonë (veriore) një flamur që ngulet njëherë në një vend, nuk ngulet për herë të dytë në po atë vend. Të këtij mendimi ishin edhe disa prej të ftuarve, të pyetur nga drejtuesi i programit. Kjo binte ndesh me këmbënguljen e Edi Ramës, që epiqendra e të gjithë festimit të përqendrohej në Vlorë dhe Tirana të mbetej, si të thuash, disi jashtë festimit! Vazhdon ajo mendësia e bastioneve, që po tretet si kripa në ujë. Jemi në vazhdimësi të ndërthurjes së historisë atavike me propagandën! Por është kuptimplote edhe me arsyetimin se një statujë, e përmbysur nga uragani popullor, nuk mund të vihet sërish në piedestal. Mos të vijmë te budallallëku i bletërritësit fanatik, Namik Hotit, që mbushi dynjanë me mburrjen e tij të shpëlarë, se ai do t’ia bënte prapë statujën idhullit të tij, E. H.-s, në piedestalin e rrëzuar, përballë Teatrit të Operës dhe të Baletit. Atjé ku ndodhej. Madjé ... prej floriri! Për këtë lajthitje injorantësh, R. Alia e bëri Namikun kryetar të një partie efemere (fjala e fundit përcakton jetëgjatësinë e disa luleve, që vyshken pas një dite): Partisë ekologjike, në krye të së cilës u vu bash ai enveristi që paska pasur arin e dynjasë për një statujë të pamundur, virtuale! Për këto lajthitje që synojnë të shpëlajnë endé trurin e njerëzve në demokraci, Shqipëria ka pasur dhe ka si etalon... vetveten! Mbase nuk ka vend në rruzull që të shpëtojë nga një diktaturë therëse dhe t’i bëjë asaj hosanà, pasi e ka shporrur atë!
Nuk është e tepërt, mendoj, që të jepet një mendim për këtë dukuri  të pangjarë, që i ka sjellë popullit dhe kombit tonë fatkeqësi të panumërta. I gjithë tersllëku e ka burimin te 1956-a e te Kongresi XX i PK(b) të B.S, kur u bë destalinizimi në rang botëror dhe kur Shqipëria, me nam për terrorizmin e saj të skajshëm, e përjashtoi veten nga dënimi që bënë  të gjitha vendet europiane e më gjerë, për  ndëshkimin e krimeve të Stalinit. Enveri nuk mund ta bënte këtë ndëshkim, se kjo do të ishte një bumerang për të, për fronin e tij sundues.
Duke shtuar terrorin me ekzekutime  në seri të njerëzve të pafajshëm, enverizmi u zuri frymën shqiptarëve edhe për një të tretën e shekullit e më tej, në ndryshim nga vendet e tjera që denoncuan krimet e Stalinit. Kjo fatkeqësi për shqiptarët pati dy pasoja të rënda: Forcoi pozitat materiale dhe botëkuptimore të mëkatarëve më fanatikë keqbërës dhe, së dyti, e zgjati mendësinë e diktaturës édhe për 22 vite të tjera. Një  rrethanë historike kjo, specifike për vendin tonë, që u dha krah propagandistëve të diktaturës së lënë pas, jo vetëm që të mbijetojnë, por edhe që të na japin leksione  subversive, në demokraci. Kështu, në ato shprehjet e mëkatarëve fanatikë e keqbërës, nuk përjashtohen édhe të ashtuquajturit historianë të të dy kohërave. Në asnjë vend tjetër europian nuk kanë marrë guximin që të vënë brenda mureve të ministrisë së Jashtme fotot e zmadhuara të diktatorit E.H, siç ngjau në vendin tonë fill pas ’97-s, gjë që e profilizoi edhe më tepër, sesi do ta dokumentojë historia e paanshme atë ngjarje të përzishme, të përftuar mjeshtërisht përmes dështimit të firmave piramidale. Sipas  përfaqësuesit të zgjedhur të të dëmtuarve, që ka një dokumentacion të bollshëm në fac símile në posedim, firmat më të shumta rentiere, si  edhé individët e rëndësishëm më të komprometuar, i takojnë anës së majtë. Por koordinatori i qeverisë majtiste në fuqi, i pasuroi më tej të majtët, në shitjen e një helikopteri sa një autobus në gjendjen mesatare. 100 %-shi i rimbursimit mbeti vetëm një slogan mashtrues. Koordinatori qeveritar i bishtnoi ballafaqimit  televiziv me të përkushtuarin për të vërtetën. Dhe e vërteta  avulloi. Veçse e gjithë ajo katrahurë,  e shfrytëzuar në mënyrë djallëzore, solli në fuqi jashtë afateve mandatuese ato që u quajtën “zgjedhjet e domeneve”. Kuptimi ishte i qartë: Vareshin litarët nëpër pemët dhe kërcënoheshin kandidatët kundërshtarë që të mos guxonin për propagandë zgjedhore: I priste litari, në “domenet” që u takonin ekskluzivisht, majtistëve të ’97-s! (Dhe  hajde e duro bajrakun e E. Ramës, “Na i vodhën votat!”). Janë “zgjedhjet” më të zvetënuara, të të gjitha kohëve, në Shqipëri.  Zgjedhje pa kundërshtarë. Si në kohën e Enverit!
2. Kjo farë historie ka edhe nonsense vulgare: -Meqë E. Hoxha ka qenë në krye të shtetit për  40 e kusur vjet (1944-1985) ai, ipso facto, (në saje vetëm të këtij fakti), na qenkësh  personazh historik! Në ç’labirinte i çoka ngushtësia e mendimit, pseudohistorianët e Enverit, që kanë shansin të notojnë në ujërat e turbullta që të shpëlajnë sërish  trurin ej viktimave të tyre, qoftë edhe pas ndërrimit të sistemeve. Janë bash këta farë historianesh-ideologë, që gjetën shesh për të bërë përshesh! Në librin e historianit serioz Josè Maria López Ruiz “I protagonisti del male”, botuar në mjaft gjuhë të botës dhe, në italisht, botim i vitit 2004 dhe ribotim i 2006-s,  ata që kanë sunduar edhe më tepër se Enveri dhe që janë të urrejtshëm, quhen jo të denjë për të qenë personazhe historike por, përkundrazi, protagonistë të së keqes. I kemi të renditur që para Krishtit, në perandorinë romake, në periudhën mesjetare, në oborret e Rilindjes, në keqbërësit e Nënës Rusi (Katerina II, Nikolla I, Rsputini), në Francë e në  Spanjë – nga antikiteti gjer në Regjimin e Ri  -  madje edhe Banditë si Al Kapone e katër të tjerë. Nuk përjashtohet, natyrisht, as terrori nazifashist me protagonistët e tij. Por përfshihet edhe terrori modern, me Stalinin, Çausheskun, Pol Potin, Milosheviçin  dhe Osama Bin Ladenin. 58 persona të kategorizuar si protagonistë të së keqes. Përjashtohet Enveri inë, se duket që s’ia vlen të përmedet as si protagonist i së keqes, për shkak të  përmasave të vogla në sferën globale. Pra, paska qenë për autorin një hiç historik, ndonëse Fosko Dinuçët e lakenj të tjerë e kanë pas renditur pas Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit! Por në këtë mikrokozmosin tonë ka qenë një tragjedi kombëtare për shqiptarët brenda kufirit zyrtar, për kosovarët e Kosovës dhe për shqiptarët e Malit të Zi, si edhe për ata të Fedratës Socialiste Jugosllave dhe për diasporën, në përgjithësi. Vendosa të përkthej  Rasputinin, por ishte tepër e gjatë për faqet e “55-s” dhe e lashë përgjysmë. Mund të them vetëm se Rasputini u bë absolut në oborrin e Nikollës II për një kohë të gjatë dhe u përcaktua si shkaktar për  diskreditimin e Perandorisë cariste dhe për turbullirat që e afruan datën e Revolucionit bolshevik të Tetorit, me konsekuenca për një terror të Perandorisë së kuqe, që ia kaloi së tepërmi Perandorisë cariste.
3. Qëmtuesit e biografisë së E. Hoxhës, A. Musta dhe M. Kokalari, kanë mbledhur një mori të dhënash nga goja e gjirokastriteve, disa prej të cilëve kushërinj të E.H.-s. Me dhjetëra emra gjirokastritësh janë të pranishëm në librin e këtyre dy autorëve. Titulli: “Kush ishte Enver Hoxha”. Në të gjitha episodet Enveri del ashtu siç paraqitet nga Mumtaz Kokalari në letrën që i çonte Makbule Xhomos (Vrioni), para se të orvatej të arratisej, se ishte njoftuar nga “bashtoja” i Gjirokastrës që kishte urdhëruar “djajtë e kuq”   ta eliminonin, për një shkak të parëndësishëm vetjak”. Mumtazi (1896- 1944) ishte jurist dhe u pushkatua pa gjyq, së bashku me vëllanë e tij Vesim Kokalarin (1898- 1944). Të dy këta ishin vëllezër të Hamit Kokalarit dhe të Musinesë. Ka mbetur letra e zonjës Makbule. Epitetet që i rreshtohen Enverit janë: - “njeri përbindësh, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi, gënjeshtar, që ishte mbytur me borxhe dhe kishte mbetur kabareve e kazinove dhe nuk kishte dhënë asnjë provim jashtë shtetit”. Këto nuk mund të mohohen, se kemi në këtë libër dhe, sidomos, në librin e A. Mustës “Mjeshtër i Intrigës dhe bishti i dreqit”, argumente të shumta që ballafaqohen edhe me dëshmitarë që jetojnë edhe sot. Pastaj studiues si Beqir Ajazi dhe Luan Dode, jetojnë edhe në ditët e tanishme. Askush nuk ka marrë guximin t’i përgënjeshtrojë, nga historianët e indoktrinuar të Enverit.  Vedat Kokona, një person serioz e i përpiktë dhe me emër, i shquar  në letrat shqipe  dhe në gjuhën amtare,  - me fjalorë dinjitozë (fr.- shq. e anasjellas) – që ka pas fjetur në një dhomë me qira, kur ishin studentë në Liceun Francez të Korçës,  në kujtimet e tij (“Endur në tisin e Kohës” ) ka shkruar me aq sinqeritet sa ka bërë edhe mea culpa, në disa raste. Pra, për fizionominë morale dhe politike të Enverit, mund të botohet një enciklopedi e tërë, që t’i ngurtësojnë dhe t’i diskreditojnë prirjet e ithtarëve të  diktatorit,  politikanë-apologjetë dhe mashtrues në dobi të një keqbërësi  të paskrupullt dhe të pamëshirshëm.
Nga më interesantet, që ka të bëjë me librin “Kujtime të Vegjëlisë”, memorialisti mashtrues shkruan me përbuzje e me mllef  për Mahmut Karagjozin, të cilin e quan xhore (të pagdhendur) në mësime. “Prandaj - kishte thënë  Enveri, u fut xhandar dhe vdiq si i tillë”. Por  botuesi u vu në hall. Ja që Mahmut Karagjozi paskësh qenë i gjallë! Redaktori s’e kishte vënë ré këtë detaj. Ai, që nuk kishte mundur ta dallonte këtë shkarje,  i kishte thënë  shefit të madh në atë kohë se ky gabim mund të ndreqej, tashmë, në ribotimin e librit. Donte të  mbulonte edhe gabimin e vet, që nuk ia kishte thënë autorit, para se libri të vihej në qarkullim.  Enveri u zemërua dhe i ishte drejtuar me këto fjalë: -“Nëse nuk ka vdekur, vriteni! Ai me siguri armik do të ketë mbetur dhe s’është nevoja ta heqim nga libri”! Urrejtjen Envveri e kishte se  Mahmuti e kishte rrahur njëherë , kur ishte i vogël. Autori i librit thotë se e kishte shpëtuar nga asgjësimi njëri ndër anëtarët e B. Politike ( A. Musta dhe M. Kokalari, f. 71).        
Ky është një shembull emblematik i mizorisë vrastare të një njeriu  që i eliminon për hiçmosgjë njerëzit e pafajshëm. “Historianët” e këtyre  paudhësive të idhullit të tyre, të pikëlluar për bjerrjen e statujës së E. H.-s, nuk kanë guximin të dalin në përgënjeshtrim të këtyre të dhënave të panumërta të personit, për të cilin duan të ribëhet statuja. Janë hipokritë. Sepse gjykojnë si më të përshtatshme që tema të tilla të mbeten tabù. Nuk duan t’i hapin kapakun kutisë së Pandorës! “Është si është, por nga ai i kemi të mirat e kohës kur na sajdiste me studio shtesë e me privilegje të tjera, kur ishte i plotfuqishëm” - duket se i thonë njëri-tjetrit.
4. Një “argument” tjetër i kësaj  skote të së keqes, “historianë” të veshur me pelerinën e panegjirizmit të një figure terroriste, është edhe krahasimi me Ahmet Zogun I, për të shpërthyer mllefin cinik, sipas diktateve të hershme enveriste. Krahasimi do të ishte në dëm të tezës së tyre, të mbajtur me paterica. Përkundrejt atij helmit të zi që ka derdhur gjatë dhjetëvjeçarësh E.H.-a ndaj figurës së monarkut shqiptar, Zogu është  treguar tolerant dhe mirëdashës, madjé. Sado që diktatori i ardhshëm të kishte përkrahjen e beut të fuqishëm të  jugut, Eqrem bej Libohovës, arsimi me notat “passable” nuk i jepej studentit mediokër të Liceut Francez tw Korçës, aq më tepër me kriteret e përpikta arsimore, për t’i dhënë edhe bursën për në Monpelié të Francës. Beqir Ajazi, në librin e tij “Kush ishte E. Hoxha” shkruan kështu  për këtë subjekt: “ Zogu kishte një taktikë shumë të hollë vetjake e dashamirëse ndaj  të gjitha  atyre familjeve që, në një mënyrë apo në tjetrën, qenë të prekura  në sedër apo në interesa vetjake”. Dhe vazhdon me familjen e kunatit të Enverit, Bahri Omarit “të pakënaqur  nga Triumfi i Legalitetit, tanimë emigrant jashtë shtetit. Dhe nxjerr përfundimin: “Pra, kjo  praktikë dhe taktikë vetjake e Zogut kishte qenë shkaku i marrjes së bursës së E.H,-s për në universitetin e Francës”  ( f. 38) . Autori i këtyre fjalëve e njihte mirë Enverin, në Liceun francez të Korçës, kur ishte nxënës dhe E. H-a profesor, që kishte në ngarkim edhe bibliotekën e Liceut, për të ngritur paksa rrogën, meqë paguhej sipas normës javore. Beqiri  shërbente në biblkiotekë, vullnetarisht, që të kishte edhe mundësinë e shfrytëzimit të librave.  Në burg B. Ajazi shkëmbente mendime për personalitetin e Enverit me intelektualë të besueshëm, si prof. Foto Bala, doktor Isuf Hysenbegasi, agronom Adem Beli, të gjithë të diplomuar në Francë. Këta shpreheshin se të gjithë burgun e gjatë e të rëndë po e bënin nga  shkaku se, kur ishin në Francë dhe E. H.-a humbi bursën, nuk kishin pranuar ta strehonin Enverin nëpër dhomat e tyre, se ishte bërë “mish me erë” dhe druheshin se mos “u ngjitej edhe atyre ndonjë akuzë morale, nga ato që Enveri i kishte me thasë...”.  (f. 51). Të gjitha borxhet mbeteshin të pakthyera.
Dajua i tij, Shyqyri çuçi, ishte arratisur në Itali, se Enveri i kishte bërë një pabesí. Kur dajua  i ishte lutur ta kishte në kujdes djalin e tij, partizan 17-vjeçar, Enveri – ziliqar ndaj pasurisë së dajos, - kishte bërë të kundërtën. Kishte porositur komandantin e batalionit që ta dërgonte në vendet më të rrezikshme. Dhe djali, Jonuzi, u vra në rrethinat e Përmetit, më korrik të ’43-shit.  Enveri e lejoi gruan e dajos që të vinte në Itali, tek i shoqi, me kusht që ajo t’i tregonte se ku i kishte fshehur dajua florinjtë. Kjo i tregoi se i kishte fshehur te Shyqyri Budua në Tiranë. Enveri dërgoi adjutantët e tij dhe i mori Budos 2500 napolona flori të dajos dhe 3000 napolona flori të Budos, të cilin e burgosi. (Dhe Nexhmija ankohej se e bëri dasmën me karrocë me kalë që i dukeshin brinjët. Dhe... pa unaza(!) nga fukarallëku! Si fukarallëku i E. Ramës, me shtëpi me qira!). Kryeministri grek, Caldarisi, e kishte diskredituar në  Konferencën e Paqes në Paris me dokumente të Inspektoratit të Policisë, se ikte pa paguar hotelet; madje, duke vjedhur edhe perdet e dritareve! Aventurat e kësaj natyre kishin ngjarë edhe në Bruksel të Belgjikës kur, me ndërmjetësinë e ministrit të fuqishëm Eqrem bej Libohova,  kishte gjetur një vend pëllumbash pranë Konsullit të nderit Marothy. Disa nga prapësitë e Belgjikës i dinte mirë  Mentor çoku. Për këtë periudhë bën fjalë kapitulli i librit të Ajazit, me titullin “E kapin në bordello me pasaportë diplomatike” (f. 64). Do të zgjateshim të hynim në hollësira Por do të vërenim se familjen e bamirësit E. Bej Libohova, kur erdhi E.H.-a në fuqi, e degdisi internimeve dhe e shkatërroi materialisht,  pavarësisht nga të mirat që kishte pasur prej beut të Libohovës.. Tani, duke supozuar se Zogu do të sillej në mënyrë të tillë me Enverin, a e përfytyrojnë “historianët” e indoktrinuar sesi do të katandisej i adhuruari i tyre? Shqipëria, mbase, nuk do të ishte në gjendjen kaotike që është, me enveristët që kanë gjetur parajsën që të pasurohen në mënyrë të paligjshme dhe t’i  mëshojnë gojës sa të mundin! Në asnjë vend europian nuk bëhet propaganda e diktaturës, si këtu, në Shqipëri. 
Në librin e kujtimeve të Vedat Kokonës, ky tregon për njohjen me Llazar Fundon, në Paris. “Rrallë kam takuar shqiptar me kulturë dhe, sidomos, njeri si ai.  Ishte nga ata për të cilët, -  shkruan ky intelektual, letrar dhe  dhe gjuhëtar, - Terenci ka thwnw: “Homo sum: Humani ënihil a me alieno”  (Jam njeri: Asgjë që është njerëzore s’më është e huaj) (f. 87). Përse e kishte kaq inat E.H.-a Zaí Fundon? Ky ishte antifashist me internim të gjatë në Ventotene të Italisë. Kur doli nga internimi, e luftoi pushtuesin, i inkuadruar në batalionet luftarake të  Kryezinjve, në Kosovë. Le të mundohen historianët haluçinantë të gjejnë ndonjë provë, sado mikroskopike, të bashkëpunimit të Zai Fundos me pushtuesin fashist apo me atë nazist. Atëherë përse u vunë në shërbim  të bashkëpunimit me serbin, divizionet tona përtej kufirit verior, që ta kapnin Fundon dhe, pasi ta torturonin gjer në vdekje, ta vrisnin!  A gjejnë dot në analet e historisë sonë të re, këta falsifikatorë të historisë, qoftë edhe një rast të vetëm, të  gjesteve të tilla të urryera nga Ahmet Zogu I ? Ka pas bërë vetëm një gjyq politik, me dënime  2- 4 vjet privim lirie.  është fjala për gjyqin ndaj Q Stafës, Z. Malës, dhe disa komunistëve të tjerë. Edhe këta u liruan para kohe, që të mos binin në dorë të fashistëve, në vigjilje të  pushtimit. Në kryengritjen e Fierit, me përjashtim të disa  ushtarakëve (që kishin bërë betimin ushtarak), të gjithë të dënuarit me vdekje, u liruan. Për kryengritjen e Veriut,  vëllai i njërit   prej  kushërinjve të kryengritësve u dënua me burgim të përjetshëm, por u lirua pa bërë ende katër vjet burg “për shkak të protestave të intelektualëve (!)”. Artikullshkruesi nuk gjykon dot nëse është zemërgjerësi e kreut të shtetit, apo është “protesta” (aspak si ajo “paqësorja” e parapërgatitur në 20 janar të 2011-s  (dhe e vënë në zbatim më 21 janar), që, pasi theu me një automjet portën e hekurt, nuk i mbetej veçse dera e drunjtë e kryeministrisë! Në kohën e Zogut, vitrinat e librarive paraqisnin lirisht nëpër xhamllëqet e tyre “Nënën” e Gorkit, të  përkthyer nga T. Zavalani.  Ndërsa firmat e të gjithë atyre që përfaqësuan gazetarinë e fillimit të pasluftës, nuk ishin aspak klandestine, me shkrimet e tyre në oponencë me regjimin (“Bota e Re” etj.) . Sidoqoftë kjo është temë më vete, që duhet paraqitur hollësisht, për të bërë ndryshesën ndërmjet një regjimi mizor e tiranik, si ai i Enverit, me një regjim lëshues e me një pluralizëm relativ, në gazetari dhe në parlament.
5. Gazetari i paanshëm, me një shqipe që respekton të gjitha normat e standardit gjuhësor, që kanë si njërin ndër kriteret, shmangien e fjalëve të huaja, e nis shkrimin e tij me “E kam pas babën kundërzogist (që ndër ne i thonë jo fort shqip “anti”- zogist”) Tregon se të atin, Gani  Dizdarin, sa erdhi në fuqi Zogu , e mori dhe nga drejtor shkolle në Shkodër, e transferoi mësues të thjeshtë në Plotoren e Vlorës. Im atë këtë e quante internim. “Kam ba dy ditë me shkue në Vlorë, – thoshte, – diku me karrocë, diku me makinë”. Merret me mend se çfarë Shqipërie ishte asokohe, Shkodra, qyteti më i madh i Shqipërisë. Kishte 23 785 banorë, ndërsa Vlora vetëm 5941! Dhe natyrisht, të braktisësh Piazza-n “vjeneze” të Shkodrës aq të hijshme, të lësh Kafen e Madhe që kur hyje të dukej se ishe në Milano, e të shkosh në Vlorën e vogël me vetëm 5941 banorë, pa dyshim që ishte ashtu siç thoshte baba. Ndodhi që mbas pak, edhe pse e kishte kundërshtar, Mbreti ta emëronte drejtor të Plotores së Vlorës, që ishte e vetmja shkollë e qytetit për fëmijët. Mandej, më 1928-n e ktheu prapë në Shkodër dhe gjithnjë ai qé vetëm drejtor, madje drejtor shumëvjeçar i shkollës së Parrucës, që ishte shkolla unike më moderne e Shqipërisë, deri dhe me sallë teatri me lozhë e skenë. Mëkat që regjimi komunist e shkatërroi krejt! Im atë mbeti, megjithatë, kundërzogist, natyrisht pa ndonjë veprimtari, përjashto një përpjekje për themelimin e një shoqërie jomonarkiste, ndoshta disi socialdemokrate, së bashku me Salo Halilin, Migjenin, Skënder Luarasin, Rustem Lopçin, Teufik Gjylin, Masar Bushatin, Ragip Gjylbegun (dokumenti është në Arkivin e Shtetit). Zogu e Musa Juka e dinin këtë, por bënin sikur nuk e dinin. Nga ana e tij, Gani Dizdari, baba i im (babai, siç i thuhet në toskërisht) nuk u bë kurrë komunist, madje edhe kur ia propozuan. Por qé antifashist mirëfilli, i burgosur paksa edhe prej fashistëve...
Nuk më pëlqen assesi që të merrem me mbrojtjen e Zogut, - vazhdon Dizdari. E dini që kryesisht jam një gazetar sportiv, por jam njëkohësisht edhe gazetar. Dhe ndiej kënaqësinë që detyrën time atdhetare të vërtetësisë historike apo të rishkruarjes së historisë për të hequr rrenat, pra për hir të së vërtetës, në fushën time e kam kryer më së miri. (Po të doni mos më quani modest). Përmes artikujve të pafund dhe librave të botuar, kam vënë në vend historinë sportive të Shqipërisë, themelimet e mëdha të sportit shqiptar, të gjitha të realizuara për herë të parë nga Mbretëria e Zogut I. Lexojmë më tej: -Ajo që më shqetëson sot si qytetar i këtij vendi që quhet Shqipëri, është egërsia, urrejtja, shfrenimi, inati, njëanshmëria, pavërtetësia me  të cilat një grup shkruesish, komentatorësh apo “historianësh” politikë, përdorin për ta futur periudhën e Zogut njëqind pash nën dhé (...) Vërtet e çuditshme. Se gjithë këtë “neokundërzogizëm” datuar më 2012-n, ata e shfaqin përmes gjykimit enverian. Që thotë se Zogu iku, se Zogu mori arin, se Zogu tradhtoi Shqipërinë, se Zogu vrau atdhetarë. Pa qenë të zotë të provojnë imtësisht, historikisht, dokumentisht, arkivisht, objektivisht, shkencërisht. Me një fjalë, e dënojnë duke përsëritur dënimin që i ka bërë Partia, me terminologjinë dhe përcaktimet aprioristike të librave të shkollës së periudhës 1945-1991. Pa sjellë asgjë të re, mbi të gjitha pa verifikuar asgjë. Pa mëshirë madje! Deri aty sa kur bie fjala për udhëheqësit komunistë të PPSH, thonë se “janë personazhe komplekse dhe duhet t’i shohim me të mirat e me të këqijat e tyre” pra, më e pakta, ata janë 50 për qind të këqij, 50 për qind të mirë”. Ndërsa Zogu 100 për qind i keq! Punë e komplikuar është historia. Sidomos kur me të merren “historianët” politikë, të cilëve më duket se iu përshtatet ajo që thotë Viktor Hygoi: “Atë çka shpik përralla, shpeshherë historia e riprodhon”.
Kam dëshirë ta citoj sa më gjatë këtë shkrim të paanshëm: - “Kur kam qenë njëherë në Bullgari, kam parë në mes të Sofjes statujën e Aleksandrit II, Carit të Rusisë që, për çudi, nuk e kishte prishur as regjimi i Teodor Zhivkovit. I thashë një kolegut bullgar: “Si ka mundësi Carin e Rusisë monument?”. Ai vuri buzën në gaz dhe më tha: “Ai ka bërë për Bullgarinë”. Këto ditë se si m’u kujtua Mbreti Boris III i Bullgarisë, i cili qé në krah të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mendova se si ka mundësi që i biri, Mbreti Simeoni II, u bë Kryeministër i Bullgarisë demokratike nga 2001-shi deri më 2005-n! Çudi si e ka pranuar NATO-ja Bullgarinë qysh më 2004-n dhe Bashkimi Europian qysh më 2007-n!”.
Për vrasjet politike: -  Sa vrasje politike ka në periudhën e Mbretërisë të Zogut? Meqë interesohem fort për historinë, përafërsisht unë e di shifrën, por kësaj radhe nuk do ta vë këtu. Pres, nëse e kanë hulumtuar, prej të papërmbajtshmëve historianë kundërzogistë të ma japin ata. Kësaj radhe po ju jap një shifër tjetër. Vetëm në periudhën 1975 -1982 regjimi i Enver Hoxhës pushkatoi pa asnjë faj tetë qeveritarë: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Llambi Ziçishtin, Petrit Dumen, Hito Çakon, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun. Nuk po fus të nëntin, Kryeministrin Mehmet Shehu. Që do të thotë sa një e treta e qeverisë. Brenda shtatë vjetëve, një e treta e qeverisë në plumb! Nuk po hyjmë në plojën e joqeveritarëve të pushkatuar politikisht apo në atë të dekadave të tjera. Dhe ndodhte plot 30-35 vjet mbas Luftës së Dytë Botërore kur paqja e qetësia mbretëronte në kontinent.
Dënimet e skajshme më zhurmëmëdha dihet që Mbretëria e Zogut I i ka bërë për shtypjen e kryengritjeve të Fierit (1935) dhe të Delvinës (1937) që deshën të përmbysnin Mbretërinë. E cili regjim apo shtet do të mund të tregohej i butë kur ti don të më përmbysësh, madje me armë në dorë? Ndonëse mjaft interesante është kronika e pasgjyqit të atyre dënimeve kur gati përditë dilte falja për shumicën e të dënuarve. Një prej kryengritësve të Delvinës është dhe djali i tezes i nënës sime, kapiten Smajl Gjylbegu, qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Ai ra viktimë se Et’hem Toto i kërkoi besën, të cilën kapiteni ia dha pa e ditur se për çka po ia jepte. Dhe u bë me Toton e gjykata i mori jetën. Dhe Zogu lejoi që trupin e këtij armiku të betuar të Mbretërisë, fisnik të Gjirokastrës, ta përcjellin me nderim! Ky qé regjimi gjakatar i Ahmet Zogut që duan të na e krahasojnë me atë të Enver Hoxhës. Mendoni për një çast se a mund të ndodhte që trupat e qeveritarëve të pushkatuar të 1975-1982-shit të përcilleshin me nderime prej ndokujt për te familjet e tyre. Në të vërtetë, as për ceremoninë e zakonshme të varrimit. Nuk u dihen ku i kanë eshtrat as sot!
Interesante mendimi i mëpastajmë: - Do të isha në një mendje që edhe Enver Hoxhës t’i ngrihej një monument. Ky monument duhej të ishte shtëpia ku ka jetuar. Dhe ndiej keqardhje që ajo është kthyer në kafe a bar. Duhej të shpallej shtëpi muzé. Të kishte aty përherë një ciceron – historian që t’iu shpjegonte e t’iu tregonte sidomos të rinjve, se: “Kjo është dhoma ku ka ndenjur udhëheqësi, kjo është tryeza e punës së tij ku ka firmosur pushkatimet pa fund të shokëve (po i lëmë mënjanë ato të reaksionarëve), ky ka qenë telefoni kur bisedonte me prokurorin se sa e si do t’i dënonte, ky ka qenë ballkoni kur ai dilte në mbrëmje të freskohej me ajrin e pastër të pemëve të Bllokut mbasi kishte marrë vesh pushkatimin e gati gjysmës së qeverisë së tij, shokëve të tij të armëve”.
Duhen mbajtur mend mirë, përfundimi: -Po ti, shoku gazetar, madje kryeredaktor, çfarë bëje asokohe? A nuk shkruaje për Partinë dhe Enverin?”. Përgjigjja ime është e vjetër: pa dyshim;  jemi fajtorë edhe ne gazetarët, qoftë dhe ne gazetarët sportivë, natyrisht. Ndonëse ruaj të drejtën t’iu kujtoj episodin e famshëm të Hrushovit kur po mbante fjalimin e dënimit të krimeve të Stalinit dhe një bolshevik i thirri nga salla: “Po ti, shoku Hrushov, ç’bëje aso kohe?”. “Kush foli?”, pyeti me rreptësi Hrushovi. Bolsheviku “i guximshëm” i sallës u struk pa bëza, pa pasur guximin për t’u shfaqur. Hrushovi heshti pak dhe, me buzën në gaz, tha: “Unë bëja atë që po bën ti sot, pra nuk guxoja”. Edhe ne gazetarët nuk guxuam vërtet, mirëpo sot kjo nuk do të thotë të harrojmë mësimin e madh që e gjejmë te sentenca e famshme latine që, ashtu si dhe në ndonjë shkrim tjetër, më duhet ta përsëris prapë edhe këtu: “Errare humanum est, perseverare diabolicum”. (“Me gabue âsht njerëzore, mos me heqë dorë prej gabimit âsht djallëzore”). E pra, si nuk folën e shkruan njëherë gjerë e gjatë këta “historianë” politikë për këto krime, aq më tepër se si bashkëkohës i kanë përjetuar, disa madje edhe krejt për së afërmi? Si nuk bënë një libër për së mbari për këto krime, sepse disa prej tyre i kanë njohur fort mirë, në zyra e në familje, në kongrese e në plenume, në salla gjyqi e në mbledhje të organizatës bazë, në labirinte të Sigurimit e në dhoma torturash.
Iu vjen më për mbarë të merren vetëm me Ahmet Zogun 100 për qind i keq. Mënyrë e shkëlqyeshme për të harruar Enver Hoxhën, këtë “personazh kompleks, 50 për qind i keq dhe 50 për qind i mirë”!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›