E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzohet ftesa për dialog, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve: Të plotësohen kërkesat e studentëve

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Sindikata e Punonjësve të Universiteteve vijoi edhe sot marshimin paqësor në mbështetje të studentëve, të cilët po protestojnë prej 8 ditësh në Tiranë kundër klasës politike dhe për kushte më të mira arsimimi dhe jetese.

Pedagogë e studentë janë mbledhur para Universitetit Politeknik të Tiranës dhe kanë vijuar marshimin para Kryeministrisë me moton “Stop dhunës ndaj studentëve”.

Nga dritaret e Politeknikut, pedagogë e studentë shpalosën një banderolë të bardhë ku shkruhet: “Rroftë rinia e lirë, fund Katovicës, sot vendosim ne!”.

Më pas, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku sërish përmbysën karriget e vendosura si ftesë për dialog me protestuesit. Disa të rinj thyen kordonin e policisë dhe goditën me karrige derën e Kryeministrisë.

Pas qëndrimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe bashkimit edhe të studentëve, protestuesit iu drejtuan Ministrisë së Arsimit.

Bojkoti i pedagogëve vazhdon edhe ditën e sotme, teksa kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universitetit, Aleksandër Kovaçi theksoi, në një prononcim për mediet, se Kryesia e Sindikatës vendosi dje njëzëri shpalljen e bojkotit në të gjitha universitetet e vendit në solidaritet me studentët.

Ky bojkot, sipas tij, nis sot, datë 21 tetor dhe vijon deri në një njoftim të dytë.

Sipas tij, studentët protestojnë prej muajsh dhe në përgjigje kanë marrë heshtjen dhe dhunën ekstreme.

Duke lexuar arsyet e vendimit të Sindikatës, Kovaçi tha se “studentët protestojnë për arsim, shëndetësi, llogaridhënie etj.”.

“Përgjigjja që kanë marrë ka qenë heshtja dhe prej 13 tetorit dhe në vijim edhe dhuna. Pedagogët nuk mund të vijojmë mësimin si zakonisht kur studentët tanë goditen në rrugë. Pedagogët janë në një mendim me studentët. Sindikata kërkon ndalimin e dhunës së studentëve dhe protestuesve paqësorë, hetim të pavarur e transparent lidhur me përdorimin e forcës nga 13 tetori e në vijim dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë urdhëruar dhe ushtruar dhunën. Kërkojmë trajtimin dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar, plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve”, tha Kovaçi.

Po ashtu, mes kërkesave të sindikatës është të mos merret asnjë masë disiplinore ndaj çdo pedagogu që merr pjesë në protestë.

“Do të kthehemi në auditorë sapo studentët të marrin përgjigjen që meritojnë. Nuk bëhet fjalë vetëm për bojkot, por për pjesëmarrje me studentët në protestë. Çdo ditë në 10:00 do të marrim pjesë në marshim dhe në protestë”, tha Kovaçi.

“Pedagogët do të qëndrojnë afër me studentët me materiale didaktike dhe të sigurojnë se orët do të zëvendësohet. Për këtë do të njoftohen të gjitha institucionet përgjegjëse. Kur flasim për kërkesat e studentëve e kemi fjalë për dorëheqjen e kryeministrit, kjo ka qenë kërkesa e tij”, u shpreh Aleksandër Kovaçi, kreu i Sindikatës së Pedagogëve.

Gjatë ditës së djeshme SPUSH prezantoi pesë kërkesa publike në mbështetje të studentëve dhe protestave që po zhvillohen në vend.

SPUSH i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri kujdestare për të garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Pedagogët kërkojnë gjithashtu ndalimin e dhunës ndaj protestuesve, respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe reagimin publik të përfaqësive diplomatike në Tiranë.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›