Regjistrimet në universitete, Xhelaj për ATSH: Mbi 15 000 aplikime në dy ditë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Mbi 15 mijë maturantë kanë plotësuar formularin e aplikimit për universitet vetëm dy ditë pas hapjes së portalit U-Albania.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj tha sot për ATSH-në se aktualisht maturantët janë në fazën e parë të aplikimit për të ndjekur studimet e larta.
“Faza e parë e aplikimeve nisi më 27 korrik dhe përfundon në datën 1 gusht dhe deri tani kanë aplikuar mbi 15 mijë maturantë. Dëshirën për të vijuar studimet në këtë raund të parë e kanë shprehur 21 800 maturantë që kanë bërë regjistrimin në portal, tha Xhelaj.
Sipas tij, në dy ditët e para vëmë re një trend në rritje të maturantëve që duan të kryejnë studimet në universitetet shqiptare.
“Pritshmëritë tona janë që 21 800 maturanttë të regjistrohen. Nga të gjithë maturantët që regjistrohen në raundin e parë mbi 95% aplikojnë”, shtoi Xhelaj.
Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar vuri në dukje se në portalin “UAlbania” janë të gjitha informacionet që u duhen maturantëve për procesin e ndjekjes së studimeve universitare.
Sa i përket degëve më të kërkuara Xhelaj tha se “maturantët krahas mjekësisë së përgjithshme preferojnë edhe stomatologjinë, infermierinë dhe fizioterapinë”.
Ndërsa, shtoi ai, në listën e degëve më të kërkuara janë edhe inxhinieria, teknologjia e informacionit, ekonomiku, juridiku, bujqësia dhe mësuesia.
Xhelaj i këshillon maturantët që të hedhin 10 preferenca qoftë edhe degë që nuk i rendisin në vendet e para.
“Nëse maturantët nuk fitojnë në degët e dëshiruara për shkak të rezultateve mund të zgjedhin një program tjetër dhe në varësi të programit mund të përzgjedhin degë të ngjashme që në ciklin e dytë master të vijojnë në atë program”, tha Xhelaj.
Raundi i dytë i aplikimeve nis me pagesën e tarifave më 30 gusht deri më 17 shtator, ndërsa aplikimi për përzgjedhjen e 10 programeve të studimit do të kryhet nga 15 -17 shtator dhe më pas në 23 shtator do të publikohet renditja e aplikantëve në U-Albania.
Çdo maturant pas kryerjes së regjistrimit në degën përkatëse ka të drejtën e çregjistrimit më 9 shtator nga raundi i parë dhe më 5 tetor nga raundi i dytë.
Raundi i tretë i aplikimit për maturantët fillon nga datat 8 tetor deri më 21 tetor 2026.
/k.s/a.f/