Regjistrimet në universitetin “Fan Noli”, 368 studentë të rinj në mbyllje të raundit të parë

Në ditën e fundit të raundit të parë të regjistrimeve pranë universitetit Fan Noli në Korçë janë evidentuar 368 studentë të cilët do të vijojnë studimet akademike në programet bachelor dhe ato dy-vjeçare.
“Mund të themi që, në shifrat deri në fazën e tanishme, jemi pak a shumë me tendencën e dy viteve të fundit. Janë deri te 368 të regjistruar deri tani në programet e studimit Bachelor dhe programet profesionale që ofrohen nga universiteti”, tha Prof. As. Dr. Lorena Zeqo, Zv/Rektore për anën mësimore.
Tre prej programeve të studimit janë tashmë me kuota të plotësuara, ndërsa në programet e tjera ka ende kuota të lira për maturantët që do të vijojnë regjistrimet në raundin e dytë. Sipas zv/rektores deri më tani nuk ka asnjë program studimi, i cili rezikon të mos aktivizohet këtë vit akademik për shkak të mosregjistrimit të studentëve.
“Me kuota të plotësuara kemi programin Bachelor në Infermieri të Përgjithshme, programin Bachelor të Mamisë dhe programin Bachelor në Edukim Fizik dhe Sporte. Për programe që mund të mos aktivizohen, deri tani nuk kemi të dhëna të tilla. Kështu që ecuria vazhdon normalisht dhe kemi besim që deri në përfundim edhe të raundit të dytë të regjistrimeve të kemi një shifër të mirë të studentëve të regjistruar.Në raundin e dytë të regjistrimeve do të ketë sërish mundësi për maturantët të cilët kanë dëshirë të vijojnë studimet në programet e tyre të preferuara”, tha ajo.
Universiteti Fan Noli në Korçë ofron 25 programe studimi bachelor dhe 7 programe studimi dy vjeçare.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/