Rehabilitimi i infrastrukturës së brendshme të lagjeve të Elbasanit, Gjiknuri dhe kryebashkiaku Llatja inspektojnë punimet
Rehabilitimi i infrastrukturës së brendshme të lagjeve të Elbasanit vijon të jetë në qendër të punës së bashkisë së këtij qyteti. Në këtë kuadër, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të PS për qarkun, Damian Gjiknuri, kanë inspektuar përfundimin e punimeve në rrugën “11 Nëntori”.
Sipas njoftimit për shtyp, Gjiknuri theksoi se projektet e rehabilitimit nuk janë thjesht për fushata elektorale, por janë një përpjekje e vazhdueshme e bashkisë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
“Njerëzit ndonjëherë kujtojnë sikur punët bëhen thjesht për fushata elektorale. Kjo është një punë e vazhdueshme e bashkisë, e cila ka hapur një sërë kantieresh, të cilat jam i bindur që do të përfundojnë shumë shpejt dhe pse jo të vazhdojmë me projektet e tjera të rëndësishme për Elbasanin. E rëndësishme është që çdo lagje e Elbasanit shumë shpejt, edhe ajo pjesa që ka mbetur, do të urbanizohet plotësisht”,- theksoi Gjiknuri.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, theksoi në fjalën e tij se rehabilitimi i infrastrukturës së brendshme të lagjeve është një projekt që po zhvillohet në çdo lagje të Elbasanit dhe që po përmirëson kushtet e jetesës së qytetarëve.
“Njerëzit ndonjëherë mendonin se mbaroi fushata dhe do të mbaronin edhe punët, por realisht ne i kemi intensifikuar ato. Jo vetëm në qytet, por dhe në fshat. Janë punë të cilat ne po ndërhyjmë në çdo lagje te Elbasanit, në çdo rrugicë të Elbsanit. Paralelisht ne po bëhemi gati dhe për vitin e ri shkollor me një sërë ndërhyrjesh që janë të domosdoshme dhe për infrastrukturën shkollore, por edhe në sheshet e pallateve”, deklaroi Llatja.
/rtsh.al/