E Martë, 3 Nëntor 2026

Përmbytjet në Greqi/ Ursula von der Lejen: Të gatshëm për të aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen (Ursula von der Leyen) i ka shprehur solidaritetin kryeministrit grek Kiriakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis) në lidhje me përmbytjet vdekjeprurëse që po përballet Greqia. 

Ajo ka shprehur gatishmëri për të aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së në rast të përkeqësimit të situatës.

“Europa qëndron në krah të njerëzve të prekur nga përmbytjet shkatërruese në Greqi, Bullgari dhe Turqi. Ne jemi të gatshëm të aktivizojmë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. I përcolla kryeministrit Kyriakos Mitsotakis solidaritetin tonë të fortë evropian. Jemi në kontakt me autoritetet greke për të mobilizuar mbështetje,” theksoi ajo në një postim në platformën X.

Në Greqi, si pasojë e vërshimeve në qytetet Volos dhe Karditsa kanë humbur jetën tre persona. Banorët kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Trafiku është ndaluar, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se stuhitë parashikohet do të vazhdojnë deri në orët e mbrëmjes.  

Gjithashtu janë përmbytur pjesë të Athinës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›