E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rehabilitohet rruga e Ndroqit, 4.8 kilometra Kombinat – Pezë Helmës, përfundon për dy vjet

“Rruga e vjetër e Ndroqit po rehabilitohet. Punimet kanë nisur para pak ditësh dhe aktualisht po punohet në lotin e parë të rrugës, që përfshin segmentin nga dalja e Kombinatit deri pranë fshatit Pezë-Helmes.”

Punimet për lotin e parë të rrugës do të zgjasin 24 muaj.

“Është një segment në trafik, ka vështirësitë e veta dhe do kohë. Ne e kemi ndarë në dy pjesë, nga dalja e Kombinatit dhe te Kthesa e Varrezave. Pjesa e dytë korrespondon nga Ura e Beshirit deri te kthesa në Pezë-Helmes, ku po punohet. Është ndarë në këtë mënyrë sepse atje për momentin ka më pak ngarkesë dhe janë më të zgjidhshme problemet që lidhen me rrugën. Ndërkohë, po merren masa për të filluar edhe në pjesën e parë, por është pak më e ngarkuar në këtë kohë, derisa të kemi zgjidhje të problematikave”, tha Gëzim Noni, përgjegjës i sektorit të menaxhimit të kontratave në ARRSH.

Qarkullimi në rrugë nuk është devijuar, por në pjesën ku po punohet, lëvizja bëhet e orientuar. Projekti parashikon zgjerimin e korsive ekzistuese.

“Nuk kanë komoditetin e lëvizjes siç ishte para pak ditësh, por është diçka që duhet bërë. Në asnjë moment nuk do të ketë devijim trafiku, thjesht do të ketë një kufizim të pjesës ku do të punohet. Ky projekt ka në thelbin e tij zgjerimin e rrugës, bëhen dy korsi, dy korsi për dy senset e lëvizjes, nga një korsi për sens. Në vende të caktuara afër qendrave të banuara do të ketë edhe trotuare dhe vende-vende edhe gjelbërim. Ky projekt kap një vlerë rreth 7.4 mln euro, duke përfshirë TVSH. Do të ketë lote të tjera në vazhdim sepse aksi është Tiranë-Ndroq-Plepa,” tha ai

Rindërtimi i kësaj rruge pritet të shfryjë trafikun në autostradën Tiranë-Durrës dhe të ofrojë më tepër zhvillim për zonën. /vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›