Rekomandimi i BB: Kompensimi, jo me çmim tregu, por kur u konfiskua
5 alternativat
Të shqyrtohet dhe maksimizohet objekti i kthimit fizik të pronave, duke përfshirë edhe kalimin e pronave shtetërore me vlerë të barabartë tek ish-pronarët.
Të mendohet kufizimi i sasisë maksimale të kompensimit, për shembull përmes një përqindjeje të caktuar të vlerës aktuale të tregut të pronës që kalon një prag të caktuar (mundësisht duke përdorur një shkallë progresive) ose/dhe përmes kufizimit të sipërm të madhësisë së pronës që mund të konsiderohet me qëllim të çmuarjes së vlerës së kompensimit ose të masave të tjera të mbështetura në përvojën e zbatueshme ndërkombëtare.
Caktimi i burimeve të dallueshme nga të ardhura jotatimore (për shembull, nga tarifat e legalizimit; të ardhurat nga shitja e pronave shtetërore) për pagesën e kompensimit.
Shpërndarja e kostos së kompensimit përmes emetimit të obligacioneve shtetërore me periudhë të gjatë maturimi (për shembull, 20 ose 30 vjet), të cilat tu jepen disa kategorive të kërkuesve të suksesshëm.
Dhënia e kërkuesve të suksesshëm, e alternativave të ndryshme mes të cilave mund të zgjedhin, për shembull të pranojnë një vlerë më të ulët kompensimi, të cilën mund ta marrin menjëherë ose të pranojnë obligacionet shtetërore me një vlerë më të lartë.
Raporti
Njëra nga alternativat, me sistem progresiv. Rastet me vendet ish-komuniste
ARD KOLA
Banka Botërore, institucioni financiar më i rëndësishëm në botë, prezent në Shqipëri me projekte të ndryshme, hedh hapin e radhës dhe shumë të diskutueshëm mbi çështjen e kompensimit të pronës. Rezultatet e deritanishme tregojnë se qeveria ka dështuar me kompensimin e pronës, si në pjesën fizike ashtu dhe monetare. Diskutimet lidhen më së shumti me pjesën monetare, pasi faturat nuk mund të përballohen nga buxheti i shtetit. Për këtë arsye, ekspertët e Bankës Botërore japin disa alternativa sesi mund të kufizohet efekti i kompensimit të pronave në buxhet, duke mos prekur sektorët kryesorë socialë, ku më i debatueshmi është ai i rishikimit të çmimit. Gjithashtu, ekspertët e huaj japin shembujt e zgjidhjes së problemit me pronat me format e përdoruara në vendet ish-komuniste, ku kryesisht merret për bazë vlera e tokës në kohën e konfiskimit.
Banka nuk jep një variant të plotë, por parashtron shembujt se si e kanë zgjidhur vendet e ndryshme, të cilat i janë referuar vlerës kur është konfiskuar. Në vendin tonë, dy janë periudhat e ndryshimit të politikave mbi pronën: e para, në 46-n me reformën agrare, dhe e dyta, në 76-n, kur me Kushtetutë nuk kishte më pronë private, por gjithçka i kalonte shtetit. Nëse do të vlerësohej toka me çmimin kur u konfiskua, për ekspertët njihet periudha e 76-s, por edhe këtu mbarten shumë paqartësi.
Alternativat për kufizimin e efektit fiskal dhe shoqëror të kompensimit do të duhej të vlerësoheshin me hollësi dhe të debatoheshin publikisht, përpara se të merret vendimi, thotë banka, duke veçuar disa alternativa.
Të shqyrtohet dhe maksimizohet objekti i kthimit fizik të pronave, duke përfshirë edhe kalimin e pronave shtetërore me vlerë të barabartë tek ish-pronarët, është njëra formë, e renditur e para nga alternativat, kurse tjetra: Të mendohet kufizimi i sasisë maksimale të kompensimit, për shembull përmes një përqindjeje të caktuar të vlerës aktuale të tregut të pronës që kalon një prag të caktuar (mundësisht duke përdorur një shkallë progresive) ose/dhe përmes kufizimit të sipërm të madhësisë së pronës që mund të konsiderohet me qëllim të çmuarjes së vlerës së kompensimit ose të masave të tjera të mbështetura në përvojën e zbatueshme ndërkombëtare.
Banka shikon një tjetër opsion, atë të kompensimit të pronave nga të ardhurat e procesit të legalizimeve, duke sugjeruar caktimin e burimeve të dallueshme nga të ardhura jotatimore (për shembull, nga tarifat e legalizimit; të ardhurat nga shitja e pronave shtetërore) për pagesën e kompensimit.
Shpërndarja e kostos së kompensimit përmes emetimit të obligacioneve shtetërore me periudhë të gjatë maturimi (për shembull, 20 ose 30 vjet), të cilat tu jepen disa kategorive të kërkuesve të suksesshëm, shikohet si tjetër opsion, sikurse edhe alternativa të ndryshme, mes të cilave individi mund të zgjedhë, për shembull të pranojë një vlerë më të ulët kompensimi, të cilën mund ta marrin menjëherë ose të pranojnë obligacionet shtetërore me një vlerë më të lartë. Për të gjitha variantet, BB kërkon që zgjidhja të vijë përmes diskutimeve me grupet e interesit, pra me shoqatat, si pjesë e rëndësishme e procesit.
Të renditura, sipas vendeve, shikohet qartë sesi e kanë zgjidhur çështjen e kompensimit të pronës, në pamundësi të buxhetit për ti kënaqur të gjithë. Në Malin e Zi, kompensimi llogaritet në bazë të gjendjes së pronës në momentin e konfiskimit, si në Maqedoni. Mali i Zi ka vendosur edhe një kufi ligjor se sa mund të paguhet çdo vit nga buxheti (0,5% e PBB-së) dhe një nivel maksimal që mund të paguhet për kompensimin e tokës së konfiskuar (10% e PBB-së). Kompensimi mund të paguhet në obligacione shtetërore, në vend të mjeteve monetare. Në Serbi, kompensimi i nënshtrohet një kufiri të sipërm prej 500 000 eurosh për kërkues. Vlera gjithsej e kompensimit që mund tu paguhet kërkuesve është e kufizuar me ligj jo më shumë se 2 miliardë euro. Çdo mungesë e fondeve duhet të përballohet nga kërkuesit në mënyrë përpjesëtimore. Tjetër fqinj i yni, Maqedonia, kompensimin e mbështet në vlerën aktuale të tregut, si Shqipëria, por vlera llogaritet sipas gjendjes së pronës në momentin e konfiskimit (pra nëse prona ka qenë tokë bujqësore në vitin 1945 dhe tani në të ka pallate të larta, pronari kompensohet për vlerën e tokës bujqësore). Kompensimi mund të jepet në obligacione me afat maturimi deri në 10 vjet.
Banka nuk jep një variant të plotë, por parashtron shembujt se si e kanë zgjidhur vendet ish-komuniste
Vendet
Kroacia: Kërkuesit mund të marrin kompensim me 100% vlerën aktuale të tregut vetëm për apartamentet; për të gjitha pronat e tjera, ka një shkallë zbritëse kompensimi, ku pronat në kategorinë më të lartë marrin vetëm 4% të vlerës aktuale. Në të njëjtën kohë, 25% e vlerës së kompensimit është paguar në të holla, ndërsa pjesa tjetër në obligacione shtetërore me afat maturimi deri në 20 vjet.
Republika Çeke: Kërkesat që i plotësojnë nuk mund të kenë sipërfaqe më të madhe se 150 ha tokë jo bujqësore. Kërkuesit që i plotësojnë kushtet mund të jenë vetëm personat, prona e të cilëve është shpronësuar dhe bashkëshorti a bashkëshortja apo pasardhësit e drejtpërdrejtë (fëmijët); vëllezërit dhe motrat, nipërit dhe mbesat nuk mund të kërkojnë kthim a kompensim. Krahas kësaj, vetëm personi të cilit i është shpronësuar prona mund të marrë kompensim në të holla; trashëgimtarët e tjerë mund të marrin vetëm obligacione.
Letonia: Ligji parashikon kompensim me vlerën e pronës në kohën e shpronësimit në vitin 1941.
Maqedonia: Kompensimi mbështetet në vlerën aktuale të tregut, si Shqipëria, por vlera llogaritet sipas gjendjes së pronës në momentin e konfiskimit (pra nëse prona ka qenë tokë bujqësore në vitin 1945 dhe tani në të ka pallate të larta, pronari kompensohet për vlerën e tokës bujqësore). Kompensimi mund të jepet në obligacione me afat maturimi deri në 10 vjet.
Mali i Zi: Kompensimi llogaritet në bazë të gjendjes së pronës në momentin e konfiskimit, si në Maqedoni. Mali i Zi ka vendosur edhe një kufi ligjor se sa mund të paguhet çdo vit nga buxheti (0,5% e PBB-së) dhe një nivel maksimal që mund të pagu