Rekord historik, meteori nga Marsi ‘zbarkon’ në Tokë dhe shitet për 5.3 milionë dollarë në ankand

Një fragment jashtëzakonisht i rrallë nga Marsi, meteori më i madh i gjetur ndonjëherë në Tokë, është shitur për 4.3 milionë dollarë në një ankand të zhvilluar nga Sotheby’s në Nju Jork.
Me taksa dhe tarifa të tjera, vlera e plotë e objektit arriti në 5.3 milionë dollarë.
Meteori, i identifikuar si NWA 16788, peshon 24.5 kilogramë dhe ka një gjatësi prej 38.1 centimetra.
Ai u zbulua në nëntor 2023, në një zonë të largët të Nigerit dhe përfaqëson rreth 70% më shumë masë se çdo fragment tjetër marsian i gjetur deri më sot.
Sotheby’s e përshkroi meteoritin si “jashtëzakonisht të rrallë”, një nga vetëm 400 të tillë të identifikuar ndonjëherë në Tokë.
Ajo theksoi se, meqenëse 70% e sipërfaqes së Tokës është ujë, është një fat i jashtëzakonshëm që ky fragment ra në tokë të thatë ku mund të gjendej.
Cassandra Hutton, nënkryetare për shkencën dhe historinë natyrore në Sotheby’s, theksoi se: “Kjo është pjesa më e madhe e Marsit që ekziston në planetin Tokë. Mundësia që ai të përfundojë këtu është pothuajse e pamundur.”
Pavarësisht përmasave të tij të jashtëzakonshme, vendndodhja e re e meteorit mbetet e panjohur, pasi informacioni rreth blerësit është konfidencial.
/rtsh.al/