Shfaqi probleme me tensionin, Veliaj dërgohet në spitalin e Durrësit

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, u dërgua në spital pasi shfaqi probleme me tensionin mëngjesin e sotëm (17 korrik).
Atij iu kryen analizat e nevojshme për të konstatuar gjendjen shëndetësore, ndërsa më pas u rikthye në qeli, për të vijuar me trajtimin mjekësor. Veliaj u dërgua në spital nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga 30 efektivë, ndërsa për arsye sigurie janë nxjerrë nga dhoma edhe pacientët e tjerë.
Veliaj u arrestua me kërkesë të SPAK më 10 shkurt 2025, në ambientet e Bashkisë së Tiranës, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në kuadër të këtij hetimi, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur, duke iu caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
/rtsh.al/