Rekord ne Shkodër / 300 vatra zjarri të shënuara gjatë verës

Mbi 300 raste zjarresh janë regjistruar në Shkodër gjatë muajve të verës, por krahasuar me një vit më parë, në zonat urbane raportohet ulje e numrit të vatrave. Sfida kryesore mbeten zonat rurale, ku terreni i vështirë dhe sipërfaqet pyjore e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen.
Një prej rasteve më të rënda ishte zjarri në malin e Tërbunit në Pukë, ku flakët përshkuan rreth 400 hektarë sipërfaqe pyjore. Terreni i vështirë dhe përhapja e zjarrit e kthyen këtë vatër në një prej sfidave kryesore të sezonit.
Një tjetër situatë problematike u regjistrua në Bardhaj të Shkodrës, ku zjarri preku tre njësi administrative. Edhe në këtë rast, procesi i vlerësimit të dëmeve nuk ka përfunduar ende, ndaj bilanci i plotë pritet të përcaktohet pas përfundimit të verifikimeve në terren.
Nga 1 qershori deri më 15 shtator, në të gjithë qarkun Shkodër janë evidentuar 368 raste zjarri.
Pavarësisht uljes së rasteve në zonat urbane, autoritetet e konsiderojnë menaxhimin e zjarreve në zonat rurale dhe pyjore një nga sfidat kryesore të sezonit të verës.